Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë sot në aktivitetin “Foli Shqip”, organizuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, në kuadër të 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.
Në këtë aktivitet morën pjesë Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja si dhe pjesëmarrës nga Forumi Rinor Mbarëkombëtar.
Këtij takimi iu bashkuan 160 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës, të bashkuar nga angazhimi për ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e gjuhës shqipe te brezat e ardhshëm.
Hoxha vlerësoi rëndësinë e gjuhës si element themelor të identitetit kombëtar dhe si një urë bashkimi mes shqiptarëve kudo ku jetojnë.
“Shqipja është ADN-ja e identitetit tonë: rrënja që na mban dhe ura që na bashkon, kudo ku jetojnë shqiptarët”, u shpreh ministri.
Duke kujtuar 118-vjetorin e Kongresit të Manastirit, Hoxha theksoi se njësimi i alfabetit i dha kombit shqiptar një zë të përbashkët, ndërsa sot përgjegjësia është që kjo trashëgimi të ruhet, të zhvillohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.
Ai nënvizoi nevojën për mbështetje të vazhdueshme për mësuesit e gjuhës shqipe në Shqipëri, rajon dhe diasporë, përmes teksteve cilësore, trajnimeve dhe platformave digjitale.
Në vijim, kryediplomati e lidhi promovimin e gjuhës shqipe edhe me perspektivën evropiane të vendit, duke theksuar synimin që ajo të marrë statusin e gjuhës zyrtare në institucionet e Bashkimit Evropian.
“Amaneti i të parëve ishte ta ruajmë gjuhën e ta trashëgojmë. Angazhimi ynë sot shkon më tej: me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shqipja të kumbojë në Bruksel, përkrah gjuhëve të tjera zyrtare të Europës”, deklaroi Hoxha.
Në përfundim, ministri i Jashtëm përcolli mesazhin se gjuha shqipe kapërcen kufijtë shtetërorë, duke bashkuar shqiptarët në të gjithë botën: “Shteti ka kufij. Shqipja nuk ka!”.


