Saturday / November 21 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
200 kompanitë me fitime më të mëdha, 2025 Lajmet Kryesore Nga Vendi

Fitimet e distributorëve në rënie  

Share Share Icon

Ndryshe nga 2024-a, kur distributorët që operojnë në segmentin e FMCG-ve (mallra të konsumit që shiten me ritme të shpejta, kryesisht të importuara) raportuan në pjesën më të madhe rritje të fitimeve, tendenca ka qenë e kundërt në 2025-n.

Rritja e kostove përballë konsumit të dobët për shkak të rënies së popullsisë nga emigracioni po ndikon negativisht aktivitetin e tyre. Edhe pse rritja e turizmit dhe qëndrimet mesatare prej 2–3 netësh të vizitorëve të huaj nuk kanë arritur ta kompensojnë plotësisht mungesën e konsumatorëve rezidentë që shpenzojnë gjatë gjithë vitit, ato kanë sjellë efekt pozitiv në treg.

Ndërkohë, kostot e administrimit janë rritur ndjeshëm, veçanërisht për shkak të pagave më të larta. Në 2025-n, bilancet tregojnë se operatorët nuk kanë arritur të përfitojnë as nga rënia e vazhdueshme e euros, që i ka bërë importet më të lira.

Ndryshimet demografike të shkaktuara nga emigracioni, sidomos largimi i të rinjve dhe plakja graduale e popullsisë, po reflektohen si në mënyrën e konsumit të qytetarëve, ashtu edhe në vështirësitë për të siguruar fuqi punëtore të mjaftueshme.

Kërkesa sezonale nga turistët ka sjellë rritje të qarkullimit sidomos për pijet, produktet ushqimore dhe artikujt e konsumit të shpejtë.

Sipas operatorëve, në zonat turistike bregdetare, pijet alkoolike mbeten ndër kategoritë me rritjen më të fortë të shitjeve, duke reflektuar ndryshimin e strukturës së konsumit gjatë sezonit dhe peshën gjithnjë e më të madhe që turizmi po merr në tregun e FMCG-së.

Operatorët vlerësojnë se në rast se nuk do të kishte qenë turizmi, rënia e shitjeve do të kishte qenë shumë më dramatike.

Konsumi vjetor i popullatës u ngadalësua sërish në 2025-n, duke rezultuar 3.4%, nga 4.2% vitin e mëparshëm, sipas të dhënave të INSTAT-it.

Në tërësi edhe 2025-a rezultoi një vit i përqendruar te përpjekjet për të përballuar rritjen e kostove, veçanërisht të çmimeve të produkteve të importuara dhe të kostos së punës, të cilat në fund të vitit treguan shenja stabilizimi.

Kursi i këmbimit, sipas operatorëve, kufizoi presionin për shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve të shitjes.

Në këtë ambient, pjesa më e madhe e distributorëve kanë parë rënie të fitimeve dhe të normave të kthimit.

 

Burimi: INSTAT

 

“Grupi Agna”, me dy kompanitë “Agna” dhe “Alfa”, ka ruajtur pozicionin si distributori më i madh në vend, si grup. “Agna” kishte qarkullim vjetor prej 21.4 miliardë lekësh, me rritje vjetore 25%, sipas të dhënave paraprake nga kompania (bilanci zyrtar nuk është publikuar ende).

“Alfa” raportoi 7.3 miliardë lekë të ardhura, me rënie 45%, pasi nga viti 2025, një pjesë e konsiderueshme e funksioneve të logjistikës dhe shitjes që kryheshin nga “Alfa” sh.a., kaluan tek “Agna” sh.a. “Grupi Agna”, përfshirë dy kompanitë së bashku, qarkulloi rreth 28.7 miliardë lekë në vitin 2025, me tkurrje 5.6% në raport me vitin 2024.

Burime nga kompania thanë se qarkullimi real i grupit është në të njëjtat nivele me vitin e mëparshëm, por rënia ka ardhur nga ulja e dublimit të xhiros ndërmjet “Alfa” dhe “Agna”.

Të dyja kompanitë raportuan një fitim para taksave së bashku prej 1.73 miliardë lekësh, me tkurrje 35% në krahasim me vitin e mëparshëm.

Rënia më e madhe ishte e “Agna”, nga 1.9 në 1.1 miliardë lekë, duke rezultuar gjithsesi me fitimet më të larta në vlerë në këtë segment. “Alfa” raportoi fitime prej 628 milionë lekësh, me tkurrje rreth 13%.

“Elka-SA” deklaroi të ardhura prej 5.8 miliardë lekësh, teksa fitimet ishin rreth 1 miliard lekë, në të njëjtat nivele me vitin e mëparshëm. Norma ishte 17.5%.

Krahas tregtimit të produkteve të ndryshme, “ELKA-SA” është eksportues dhe e angazhuar edhe në sektorin e prodhimit të patatinave, çokokremit, kruasantëve. Eksportet në vitin 2025 ishin 1.1 miliardë lekë, duke u rritur me 4.8%, teksa sollën 19% të të ardhurave nga 17% vitin e mëparshëm.

Në aktivitetin e eksporteve, “Elka-SA” është ndikuar negativisht nga rënia e kursit të këmbimit të euros.

“Stabiliteti i kursit të këmbimit do të luante rol të rëndësishëm në aktivitetin tonë si eksportues, pasi luhatjet e shumta në ulje që ka pësuar kursi i këmbimit kanë sjellë pasiguri te çmimet e shitjes duke ndikuar edhe tregun ndërkombëtar, në të cilin ne jemi të pranishëm prej shumë vitesh”, thuhet në raportin vjetor.

“Albanian Distribution & Development” raportoi të ardhura prej 5.8 miliardë lekësh. Fitimet ranë me 24%, në 859 milionë lekë. Norma ishte 14.8%, nga 17.2% vitin e mëparshëm. Sipas raportit vjetor, kompania ka rritur gamën e produkteve duke e zgjeruar portofolin e saj të produkteve nga viti në vit.

Më fitimprurësja në vitin 2025 vijoi të jetë, “Inter Trade & Distribution”, norma e përfitueshmërisë e së cilës ishte 18.6%, nga 22.2%, vitin e mëparshëm. Kompania raportoi të ardhura prej 3.2 miliardë lekësh. Fitimet ranë me 12%, në 591 milionë lekë.

“Teuta Durrës”, që operon në dy sektorë kryesorë, paketimin dhe shpërndarjen e produkteve ushqimore, mbajti fitime të qëndrueshme në 395 milionë lekë.

Norma e kthimit ishte 10.2%. Të ardhurat në vitin 2025 ishin 3.8 miliardë lekë. Sipas të dhënave të kompanisë, aktiviteti i kompanisë është zgjeruar dhe rritur nga viti në vit përmes shtimit të gamës së produkteve të hedhura në treg, zgjerimit të njësive të shpërndarjes në të gjithë vendin, duke sjellë shtim të të ardhurave dhe fitimeve.

“Inter Distribution Service”, operatori më i madh sipas të ardhurave, ka deklaruar qarkullim vjetor prej 25.7 miliardë lekësh, me zgjerim 14%. Edhe fitimet u rritën me 13% në 320 milionë lekë, ndërsa norma e kthimit mbeti e qëndrueshme në 1.24%.

 “Interbrands” raportoi rënie të fitimeve me 23%, në 288 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 11.6%, nga 13.8% një vit më parë. Të ardhurat arritën në 2.5 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, shoqëria ka ruajtur një aktivitet të qëndrueshëm ekonomik, pavarësisht mjedisit tregtar më sfidues dhe ndryshimeve në strukturën e tregut.

“Eurolab Internacional Grup sh.p.k.” është një tjetër distributor i madh, që nuk ka dorëzuar asnjëherë pasqyra financiare. Të ardhurat e përafërta të shoqërisë në vitin 2025 ishin rreth 7.5 miliardë lekë. Sipas renditjes së Tatimeve, kompania në 2025-n ka dalë nga lista e “Monitor” 200, ndërsa fitimet ishin rreth 200 milionë lekë.

“Marketing & Distribution” kishte të ardhura prej 8.5 miliardë lekësh, ndërsa fitimet vijuan tkurrjen për të tretin vit radhazi, duke u reduktuar me 35%, në 144 milionë lekë, duke mbetur jashtë listës së fitimeve të “Monitor 200”.

Kompania ka deklaruar më herët se tendenca e fitimeve ka qenë në rënie për shkak të fondeve të shpenzuara për politikën e rritjes së pagave, duke i çuar në nivel neto deri në 1,000 euro për punonjësit në profesionet mbështetëse, si drejtuesit e mjeteve shpërndarëse të mallrave, punonjësve të magazinave, pirunist etj.

“Nelt” ishte një hyrje e re në segmentin e distributorëve, në listën e “Monitor 200”, sipas të ardhurave, pas rritjes së fortë të të ardhurave me 118%, në 4.1 miliardë lekë. Kompania nuk është pjesë e listës së fitimeve, që ishin në një nivel minimal prej 30 milionë lekësh në vitin 2025, me një normë 0.7%.

Sipas raportit vjetor, aktiviteti kryesor i shoqërisë është tregtimi me shumicë dhe pakicë i artikujve ushqimorë dhe industrialë.

“Nelt” është pjesë e “Nelt Group”, një grup rajonal i fokusuar te distribucioni dhe logjistika, që operon në Shqipëri që nga viti 2018, pas blerjes së “All Balkans Corporation”.

Në tregun shqiptar, kompania shpërndan produkte të markave ndërkombëtare dhe rajonale si “Mondelez, “Beiersdorf”, “JTI”, “Arcor”, “Dr. Oetker”, “Manner”, “Mutti”, “Sebamed”, “Halls”, “Philadelphia” dhe të tjera, sipas deklarimeve në bilance.

 

Burimi: QKB, përpunime të Monitor

 

Distributorët në rajon, norma fitimi më të ulëta se në Shqipëri

Kompanitë e shpërndarjes së mallrave të konsumit kanë një peshë të konsiderueshme në renditjen e bizneseve më të mëdha të Ballkanit Perëndimor, me të ardhura që arrijnë deri në 1 miliard euro në vit.

Megjithatë, fitimet e operatorëve më të mëdhenj janë shpesh vetëm 0.7–2% e xhiros, ndërsa disa distributorë më të vegjël realizojnë norma mbi 5%.

Në krahasim me rajonin, distributorët në Shqipëri rezultojnë përgjithësisht më fitimprurës. Në vitin 2025, normat e fitimit para tatimit për kompanitë kryesore luhateshin nga 1.2% në 18.6%, me disa operatorë që kalonin nivelin 10%, ndonëse tendenca në 2025-n ishte në tkurrje.

Në vendet e tjera të rajonit, shumica e distributorëve të mëdhenj regjistrojnë norma fitimi neto nën 6%, shpesh edhe nën 1%. Megjithatë, krahasimi nuk është plotësisht i njëjtë, pasi treguesit e Shqipërisë janë përpara tatimit, ndërsa ata të rajonit pas tatimit.

 

Serbia, “Nelt” me mbi 1 miliard euro të ardhura

Në Serbi, distributori më i madh i identifikuar në renditje është “Nelt Co”, me 1.01 miliardë euro të ardhura dhe 6.59 milionë euro fitim neto në vitin 2025, ose vetëm 0.7% të xhiros.

Kompania është një nga shpërndarësit kryesorë të markave ndërkombëtare ushqimore, pijeve dhe produkteve të higjienës, krahas shërbimeve të magazinimit dhe logjistikës. “Nelt” operon gjithashtu në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë dhe Shqipëri, sipas faqes së saj zyrtare.

“Atlantic Brands”, pjesë e grupit “Atlantic”, realizoi 350.3 milionë euro të ardhura dhe 3.55 milionë euro fitime, me një normë prej 1%. Dy operatorët kanë xhiro shumë të larta, por pjesa e të ardhurave që mbetet si fitim neto është e vogël.

 

Bosnjë-Hercegovina, konkurrencë e lartë

Në Bosnjë-Hercegovinë, “Boreas” realizoi 483.5 milionë euro të ardhura dhe 3.27 milionë euro fitim neto, me normë 0.7%. “Ataco”, një tjetër distributor i madh i mallrave të konsumit, raportoi 281.1 milionë euro të ardhura dhe 16.02 milionë euro fitime, me normë 5.7%.

“Orbico” kishte 271.5 milionë euro të ardhura dhe 2.07 milionë euro fitime, me normë 0.8%, ndërsa “Nelt” realizoi 213.2 milionë euro të ardhura dhe 3.83 milionë euro fitime, me normë 1.8%.

Në listë përfshihen edhe “Leburić-Komerc”, me 156.2 milionë euro të ardhura dhe 9.04 milionë euro fitime, me normë 5.8%, si dhe MCI, me 97.2 milionë euro të ardhura dhe 5.75 milionë euro fitime, me normë 5.9%.

Dallimet e mëdha të përfitueshmërisë mes distributorëve lidhen edhe me portofolin e produkteve, kushtet tregtare dhe shërbimet që ofrojnë.

 

Mali i Zi, norma më të larta fitimi te disa distributorë

Në Mal të Zi, “Bar-Kod” është distributori më i madh i identifikuar në renditjen e kompanive më të mëdha, me 145.3 milionë euro të ardhura dhe 4.33 milionë euro fitim neto në vitin 2025, me normë 3%.

“Nelt MNE” raportoi 70.3 milionë euro të ardhura dhe 3.71 milionë euro fitime, me normë 5.3%. Kompania shpërndan marka ndërkombëtare të konsumit dhe ofron shërbime logjistike.

“DMD Delta” realizoi 58.9 milionë euro të ardhura dhe 2.45 milionë euro fitime, me normë 4.2%, ndërsa “Ataco” kishte 27.6 milionë euro të ardhura dhe 880 mijë euro fitime, me normë 3.2%.

Ndryshe nga disa prej distributorëve më të mëdhenj në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë, ku normat janë nën 1%, kompanitë kryesore të identifikuara në Mal të Zi regjistrojnë norma neto nga 3% në 5.3%.

 

Maqedonia e Veriut, “Dauti Komerc” me rreth 90 milionë euro të ardhura

Në Maqedoninë e Veriut, “Dauti Komerc”, kompani e themeluar nga sipërmarrës shqiptarë të vendit, realizoi rreth 89.3 milionë euro të ardhura dhe 1.38 milionë euro fitim neto në vitin 2025, sipas të dhënave të “CompanyWall”.

Kompania u themelua në vitin 1990 nga Xhemail Dauti dhe tre vëllezërit e tij, duke u zhvilluar nga një biznes familjar në një distributor me prani rajonale.

Në një intervistë për “Monitor”, Xhemail Dauti, njëkohësisht Kryetar Nderi i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, shpjegon se sipërmarrësit shqiptarë e ndërtuan kapitalin e tyre kryesisht nga e para, pasi, sipas tij, u anashkaluan nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore pas shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai thekson se tregtia me shumicë dhe pakicë mbetet një nga sektorët ku bizneset me pronarë shqiptarë kanë praninë më të madhe.

Një tjetër operator i rëndësishëm është njësia e shpërndarjes së grupit “Atlantic”, me 73 milionë euro shitje në vitin 2025, në rritje me 14.8%, por pa të dhëna të veçanta për fitimin neto. Në treg operon edhe “Nelt ST”, pjesë e grupit rajonal “Nelt”, për të cilin nuk janë verifikuar shifra të plota financiare për vitin 2025.

 

Kosova, “Buçaj” dhe “Elkos” me mbi 200 milionë euro të ardhura

Në Kosovë, “Buçaj”, një nga distributorët kryesorë të mallrave të konsumit, realizoi 225.9 milionë euro të ardhura dhe 8.63 milionë euro fitim neto, me normë 3.8%.

“Elkos”, që ndërthur shpërndarjen me shumicë dhe tregtinë me pakicë, raportoi 248.6 milionë euro të ardhura dhe 8.18 milionë euro fitime, me normë 3.3%.

Ndër kompanitë më të vogla, “Devolli Logistic System” regjistroi 36.7 milionë euro të ardhura dhe 540 mijë euro fitim neto, me normë 1.5%, ndërsa GSD kishte 33.9 milionë euro të ardhura dhe 690 mijë euro fitime, me normë 2%.

“Gekos”, me 26.4 milionë euro të ardhura, realizoi 4.04 milionë euro fitime, me normë 15.3%, ndjeshëm më të lartë se shumica e distributorëve të tjerë të Kosovës.

 

 

LEXONI EDHE:

200 kompanitë me fitime më të larta; Ekonomia e shtrembëruar nga tenderat dhe informaliteti

 

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Imazhi i Zëvendësimit të Artikullit

Me garazhet që arrijnë mbi 100 mijë euro, parkimi po bëhet një biznes gjithnjë e më i mirë

Në një prej njoftimeve në rrjetet sociale së fundmi, një agjent i pasurive të paluajtshme cilësonte si okazion shitjen e një garazhi në zonën e Bll...

11 minutes më parë 7 Min Lexim

Fitimet e luhatshme të biznesit të madh të energjisë  

Energjia, mbi 90% e së cilës vjen nga hidro, është një treg që vitet e fundit ka tërhequr investime të shumta private, që në pjesën më të madhe jap...

13 minutes më parë 29 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!