Arrestimi i një prej narkotrafikantëve më të kërkuar në botë ka shkaktuar një valë të dhunshme përplasjesh në Meksikë, ku të paktën 11 persona kanë humbur jetën. Mes viktimave janë shtatë persona të dyshuar si pjesëtarë të kartelit dhe katër ushtarë.
Në pranga ka rënë Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, gjatë një operacioni të forcave meksikane në shtetin e Sinaloas. Ndërhyrja u pasua nga përleshje të armatosura gjatë natës së të premtes, ku grupet kriminale u përballën me ushtrinë.
Situata u tensionua veçanërisht në qytetin Guasave, ku shpërthyen të shtëna, automjete dhe biznese u përfshinë nga flakët, ndërsa helikopterë ushtarakë dhe dronë u vunë në lëvizje mbi zonë. Përplasjet shkaktuan panik te banorët, të cilët u përpoqën të largoheshin nga zonat e rrezikut.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentet e kaosit, me qytetarë që largohen me vrap mes të shtënave gjatë një ndeshjeje bejsbolli, makina të djegura dhe helikopterë që qëllojnë drejt objektivave në tokë. Gazetarja lokale Alma Camacho e përshkroi situatën si një konflikt që u përhap në disa zona të qytetit.
Ministria meksikane e Mbrojtjes konfirmoi se shtatë prej të vrarëve dyshohet se i përkasin grupeve kriminale, ndërsa katër janë pjesëtarë të ushtrisë.
Sipas autoriteteve, arrestimi u realizua përmes një operacioni të organizuar me elementë befasie dhe fshehtësie. Forcat e sigurisë rrethuan ndërtesën ku fshihej narkotrafikanti, por gjatë ndërhyrjes u përballën me rezistencë të armatosur, përfshirë sulme me armë zjarri dhe eksplozivë.
