Maqedonci pas testimit të mortajave 120 milimetra: FSK-ja po bëhet gjithnjë e më e fuqishme
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka realizuar qitje me municion luftarak nga mortajat 120 milimetra, të integruara në automjetet e blinduara Vuran, në poligonin e Bizës në Shqipëri.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, përmes një postimi në Facebook, ku ka publikuar edhe pamje nga aktiviteti.
Sipas Maqedoncit, automjetet Vuran janë të pajisura me sistemin e mortajës Alkar 120 mm, i cili përfshin mekanizëm automatik të drejtimit dhe mbushjes, si dhe sistem të kontrollit të zjarrit.
Ai ka bërë të ditur se një pjesë e këtyre automjeteve janë siguruar si donacion nga Turqia, ndërsa pjesa tjetër është blerë me buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
Maqedonci ka theksuar se modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake, së bashku me përgatitjen profesionale të pjesëtarëve, po rrit kapacitetet e FSK-së.
“Modernizimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake, krahas përgatitjes profesionale të pjesëtarëve tanë, po e bën FSK-në gjithnjë e më të fuqishme dhe më të përgatitur për përmbushjen e misionit të saj”, ka shkruar ai.















