Dita e Alfabetit, Peleshi: Kongresi i Manastirit, hap vendimtar në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar. Gjuha shqipe, identiteti jonë

Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit Shqip, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë një mesazh urimi, duke kujtuar rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe vendimin për njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në mesazhin e tij, Kryetari Peleshi e cilëson Kongresin e Manastirit si një hap vendimtar në formësimin e identitetit kombëtar shqiptar dhe të orientimit të tij perëndimor.
Për këtë përvjetor, urimi i Kryetarit të Kuvendit shoqërohet edhe me pamje të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, të frymëzuara nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit, duke sjellë në një formë të re kujtesën e këtij momenti të rëndësishëm të historisë kombëtare.
“Si sot, 118 vjet më parë, në Manastir u hodh një hap vendimtar që do t’i jepte identitetit perëndimor të kombit tonë shumëçka nga trajta që ka edhe sot. Shqiptarët vendosën atë ditë, të shkruanin me një alfabet të përbashkët, si të gjithë kombet e qytetëruar të botës moderne.
Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tonë.
Pamjet që shoqërojnë këtë urim janë një rikthim përmes teknologjisë, frymëzuar nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit.
Gjuha është identiteti ynë. Ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim fëmijëve tanë me krenari.
Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqip!”, shkruan Peleshi.




