
Autoritetet greke kanë arrestuar në aeroportin ndërkombëtar të Athinës një 65-vjeçar me shtetësi greke dhe origjinë shqiptare, i dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lëndësh narkotike.
Sipas burimeve policore, i arrestuari kishte mbërritur nga Portugalia dhe u ndalua nga efektivët e antidrogës së doganave greke menjëherë pasi tërhoqi valixhen. Gjatë kontrollit iu zbuluan rreth 15 kilogramë kanabis.
65-vjeçari dyshohet se ka lidhje me një rrjet kriminal që merret me transportimin e drogës nga Spanja dhe Portugalia drejt Greqisë. Ai rezulton të ketë qenë i arrestuar më parë për trafikim emigrantësh.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të një të afërmi të tij në të njëjtin aeroport, të cilit iu sekuestruan 34 kilogramë kanabis. Edhe ky person kishte udhëtuar nga Portugalia.
Pas arrestimit, 65-vjeçari doli përpara gjykatës, e cila vendosi masën e paraburgimit ndaj tij. Autoritetet sekuestruan lëndën narkotike, 100 euro dhe 4.200 lekë shqiptare që ai kishte me vete.
Policia greke vijon hetimet për të zbardhur lidhjet e mundshme të të arrestuarit me rrjetin e dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës.
