Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka ushtruar personalisht presion ndaj zyrtarëve për të hapur rrugën ndërtimit të një hoteli Trump në qendër të Beogradit, sipas dokumenteve dhe dëshmive të siguruara nga Financial Times.
Zbulimet tregojnë deri në çfarë mase ai shkoi për të siguruar projektin e mbështetur nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.
Projekti parashikonte shembjen dhe rindërtimin e ish-shtabit të Ushtrisë Jugosllave, të njohur si ndërtesa e General Staff, e cila u dëmtua nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999.
Projekti u kthye në një nga pikat kryesore të protestave të udhëhequra nga studentët kundër qeverisjes gjithnjë e më autoritare të Vuçiçit dhe kontribuoi në rënien e tij në zgjedhjet e muajit të kaluar.
Kushner pezulloi pjesëmarrjen në projekt vitin e kaluar, ndërsa kundërshtimet dhe sfidat ligjore u shtuan. Muajin e kaluar, Lista Studentore fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare me një rezultat të thellë dhe premtoi të zbardhë korrupsionin e qeverive të mëparshme.
“Dëshmitë që tashmë janë pjesë e çështjes së General Staff duhet të çojnë në nisjen e procedimeve penale ndaj Aleksandar Vuçiçit për vepra që dënohen me një deri në tetë vite burg”, deklaroi Lista Studentore.
Seanca e parë gjyqësore pas zgjedhjeve është planifikuar për të hënën, ku pritet të paraqiten prova të reja dhe dëshmitarë.
Dokumentet e shqyrtuara nga Financial Times, përfshirë marrëveshjen e plotë të investimit që nuk ishte publikuar më parë dhe deklaratën e një dëshmitari kyç, tregojnë se zyrtarët vepruan nën presionin e drejtpërdrejtë të Vuçiçit për të hequr pengesat ligjore ndaj projektit, përfshirë statusin e mbrojtur të ndërtesës si trashëgimi kombëtare.
Dubravka Đukanović, ish-drejtoreshë e Institutit të Serbisë për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, u tha prokurorëve vitin e kaluar se Vuçiçi e kishte qortuar personalisht atë dhe kolegët e saj, duke i quajtur “injorantë”, gjatë një takimi në pallatin presidencial. Sipas saj, ai u kërkoi të “merrnin përgjegjësinë” dhe të hapnin rrugën për projektin.
“Nuk është e këndshme kur […] dikush, edhe nëse është shteti, të vendos në pozicionin që të vendosësh të shembësh atë që duhet të mbrosh”, i tha Đukanović Prokurorisë për Krimin e Organizuar, sipas deklaratës së siguruar nga FT. Ajo shtoi se presidenti Vuçiç kishte thënë se heqja e statusit të mbrojtjes ishte e nevojshme.
Në një intervistë për Financial Times, Đukanović tha se “e gjithë situata ishte e pakëndshme, ashtu si edhe vetëdija se presidenti ose nuk e njihte procedurën ligjore, ose nuk i interesonte. Ai e mbylli takimin duke thënë se kushdo që nuk ishte i gatshëm ta mbështeste projektin duhet të jepte dorëheqjen”.
Dëshmia e saj sugjeron se qeveria serbe në largim dhe investitorët amerikanë të mbështetur nga Kushner bashkëpunuan për më shumë se një vit, pavarësisht shqetësimeve të shumta ligjore.
Të hënën, Serbia ndërpreu zyrtarisht marrëveshjen e investimit me Atlantic Incubation Partners, kompaninë amerikane të mbështetur nga Kushner, i cili u tërhoq nga projekti në fund të vitit të kaluar.
Marrëveshja, e nënshkruar në maj 2024, përcaktonte se projekti ishte “i kushtëzuar nga heqja e statusit të trashëgimisë kulturore për ndërtesat”.
Historiani serb Nenad Lajbensperger, i cili ka studiuar historinë e ndërtesës, tha se Vuçiçi duhet ta ketë siguruar Kushnerin se “çdo problem ligjor do të zgjidhet përpara se të nisë puna”.
“Qeveria e dinte që ndërtesa ishte e mbrojtur dhe megjithatë kishte idenë për ta realizuar projektin Trump, në mënyrë të paligjshme”, tha ai.
Đukanović deklaroi se nuk kishte “asnjë mundësi për ta hequr ligjërisht mbrojtjen”, përveç rastit kur ndërtesa shkatërrohej plotësisht. Ajo shtoi se që në fillim ishte e qartë se zhvilluesit amerikanë nuk kishin interes për ruajtjen e objektit.
“Që nga kontakti im i parë me arkitektin, ishte e qartë se ai nuk kishte asnjë ide se kompleksi i General Staff ishte një pasuri kulturore”, tha ajo, duke shtuar se projekti ishte hartuar shumë kohë më parë dhe nuk kishte pësuar ndryshime pas takimit. Ajo e cilësoi takimin si një “farë”.
Projektet vizuale të hotelit Trump u hartuan nga Brian Vargo, drejtor menaxhues i kompanisë së zhvillimit në Nju Jork, LIVWRK, e cila ka bashkëpunuar me Kushner në të paktën dy projekte në Brooklyn. Vargo nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Ndërtesa e General Staff përfundoi në vitin 1965 dhe ishte një simbol i arkitekturës moderniste jugosllave, derisa avionët amerikanë e dëmtuan pjesërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s në Beograd në vitin 1999. Që atëherë, ajo është kthyer në simbol të rezistencës ndaj Perëndimit.
I dërguari i Donald Trumpit, Richard Grenell, zhvilloi bisedimet e para me Vuçiçin për këtë vend në vitin 2020, sipas ish-presidentit serb. Në atë kohë, Vuçiçi theksonte se projekti duhej të zhvillohej “në përputhje” me statusin e veçantë të trashëgimisë kulturore. Grenell nuk pranoi të komentojë.
Projekti mori hov pas një takimi mes Kushnerit dhe Vuçiçit në margjinat e Forumit Ekonomik Botëror në Davos në vitin 2023, i përmendur në faqen e atëhershme të presidentit serb.
Gjatë vitit pasues, Vuçiçi dhe ministri i Financave, Siniša Mali, zhvilluan disa takime ku u bënë presion zyrtarëve të trashëgimisë kulturore për t’i hequr ndërtesës statusin e mbrojtur, sipas Đukanović.
“Në atë takim u tha se ishte ose kjo, ose ajo: ose të nisnim procesin për heqjen e mbrojtjes, ose të jepnim dorëheqjen”, deklaroi ajo, sipas dëshmisë së saj. Sipas Đukanović, Mali e përforcoi ultimatumin në një takim të mëvonshëm. Ajo dhe një kolege dhanë dorëheqjen.
Vuçiçi dhe Mali nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Çështja u bë një nga faktorët që ushqeu protestat studentore, të cilat kishin përfshirë Serbinë që nga fundi i vitit 2024. Megjithatë, partia SNS e Vuçiçit miratoi në nëntor 2025 një ligj të posaçëm që hoqi mbrojtjen e ndërtesës, duke shkaktuar protesta të reja.
Një muaj më pas, ministri i Kulturës, Nikola Selaković, u akuzua për shpërdorim detyre. Prokurorët akuzuan gjithashtu pasardhësin e Đukanović, Goran Vasić, për falsifikim dokumentesh që dyshohet se u përdorën për të justifikuar heqjen e statusit të trashëgimisë kombëtare.
Kushner u tërhoq nga projekti pas këtyre dy akuzave.
Një zëdhënës i Atlantic i tha Financial Times: “Vizioni ynë ishte të krijonim një destinacion të klasit botëror që nderonte historinë e Beogradit, ndërsa kontribuonte në të ardhmen e qytetit. Ne ishim krenarë për projektin dhe ndikimin pozitiv që mund të kishte. Ndërsa rrethanat ndryshuan, arritëm në përfundimin se projekti nuk mund të realizonte më qëllimin e tij dhe vendosëm të tërhiqeshim në nëntor 2025”.
Vasić dhe Selaković i mohojnë akuzat. Ata janë të lirë ndërsa procesi gjyqësor vijon, me seancën e radhës të planifikuar për të hënën. Avokatët e tyre kanë kundërshtuar akuzat, duke iu referuar ligjit të posaçëm të miratuar vitin e kaluar, i cili hoqi mbrojtjen e ndërtesës. Ata nuk iu përgjigjën kërkesave të mëtejshme për koment.
Megjithatë, në aktakuzë, prokurorët i akuzojnë Selaković dhe Vasić për shkelje të ligjit në korrik 2024, kur ndërtesa ishte ende e mbrojtur. Sipas prokurorëve, atë muaj ministri thirri Vasić dhe persona të tjerë në zyrën e tij dhe u kërkoi të paraqisnin deri në fund të ditës një propozim për heqjen e mbrojtjes së objektit.
Prokurorët arritën në përfundimin se Selaković “e dinte se nuk kishte autoritet ligjor për të nisur një procedurë të tillë dhe se nuk ishin përmbushur kushtet e parashikuara nga Ligji për Trashëgiminë Kulturore”.
Skandali i General Staff ka shtuar vëmendjen ndaj marrëveshjeve të biznesit të lidhura politikisht, të ndjekura nga njerëz të afërt me Trumpin në Ballkan, nga projektet energjetike në Bosnjë deri te zhvillimet e diskutueshme në bregdetin shqiptar. Por Serbia paraqet një rast veçanërisht të qartë të ndikimit politik në favor të investitorëve të lidhur me familjen Trump.
Sipas marrëveshjes së investimit të vitit 2024, të siguruar nga FT, qeveria e Vuçiçit dhe kompania AIP e Kushnerit do të krijonin një sipërmarrje të përbashkët në Beograd. Investitori amerikan më pas do të transferonte pjesën e tij te një kompani e lidhur në Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila do të mbante kontrollin operacional dhe financiar të projektit.
Sipas marrëveshjes, Atlantic do të merrte projektin pa një tender publik dhe pa qenë e detyruar të respektonte kufizimet për trashëgiminë kombëtare, duke garantuar fitim maksimal dhe një rrugë më të lehtë drejt pronësisë së ardhshme.
Vuçiçi dha dorëheqjen në shtator dhe shpalli zgjedhje të parakohshme në një përpjekje të dështuar për t’u rikthyer si kryeministër. Humbja e tij ka përshpejtuar shpërbërjen e rrjetit politik, ndërsa autoritetet mbyllën bankën Alta, të lidhur me regjimin, dhe arrestuan pronarin e saj dhe drejtues policie besnikë.
Vuçiçi nuk e ka mohuar se punoi për promovimin e projektit të General Staff dhe se ushtroi presion ndaj zyrtarëve qeveritarë, duke argumentuar se kjo ishte normale për një president.
“Më akuzojnë se kam tentuar të sjell një investitor… Kushnerin, për ndërtesën e General Staff. Doja të bënim diçka për Beogradin, të hiqnim ato rrënoja, atë pamje të shëmtuar… të ndërtonim marrëdhëniet më të mira të mundshme me amerikanët, të krijonim një destinacion të nivelit të lartë që do të tërhiqte edhe më shumë turistë”, tha Vuçiçi për Kurir TV, një javë para zgjedhjeve.
