“One Stop Shop”, Mickoski: Pika e përbashkët kufitare do të lehtësojë më tej lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në pikën e kalimit kufitar të Qafë Thanës, për të inauguruar së bashku me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sistemin e integruar kufitar “One Stop Shop”.
Sistemi i ri synon lehtësimin dhe përshpejtimin e procedurave të kontrollit kufitar mes dy vendeve, duke mundësuar kryerjen e kontrolleve në një ndalesë të vetme dhe reduktimin e kohës së pritjes për qytetarët dhe transportin e mallrave.
Në fjalën e tij për shtyp, kryeministri maqedonas tha se pika e përbashkët kufitare do të lehtësojë më tej lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve.
“Për mua është nder i veçantë që së bashku me mua është miku im i dashur Edi Rama. Në këtë eveniment të rëndësishem dëshiroj të uroj këtë festë të rëndësishme si 22 Nëntori.
Është kënaqësi që po bëjmë ketë bashkëpunim për një pikë kontrolli të vetme që lehtëson lëvizjen e njerëzve. Duam të përforcojme bashkëpunimin edhe në pikat e tjera kufitare, bashkëpunime në Ohër Strugë nëpërmjet liqenit me Shqipërinë. Dua të falënderoj ministrin e punëve të brendshme, punonjësit, që të kemi një pikë kontrolli të vetme e falënderim për mikun tim Edi Rama”, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Edi Rama theksoi se me sistemin “One Stop Shop” do të hidhet një hap konkret për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi.Hapi i radhës sipas Ramës, do të jetë kalimi pa kontrolle në kufi, në rrugëtimin e përbashkët mes dy vendeve drejt Bashkimit Europian.
“Unë kam përherë probleme me përkthimin kur vij në Maqedoni.
Hedhim një hap konkret me këtë transformim për miliona njerëz që kalojnë këtë kufi.
Ne kemi një shprehje në shqip, beso dhe kontrollo. Deri tani në këtë doganë ishim kontrollo kontrollo, tani jemi beso kontrollo. Hapi tjetër beso beso, që mos kemi më asnjë kontroll këtu, në rrugëtimin e përbashkët në BE. Dua ta perforcoj kryeministri maqedonas që jemi në një proces bashkëpunimi ku kemi shumë gjëra që duhet t’i bëjmë se bashku padiskutim njëra ndër to të çojmë para korridorin 8
Ne mbyllje dua tu bashkohem kryeministrit Mickoski për ata që punuan për këtë ditë dhe për të realizuar me ne fund këtë transformim që siç thashë do I vlejë shumë njerëzve, miliona njerëzve që kalojnë në këtë doganë, do vazhdojmë me pikat e tjera për të njëjtin sistem. Kam e një ankesë për Hristjanin. Përkthyesen me të mirë e mbajti për vete”, tha Rama.




