Fier/I zhytur në ujë - Automjeti përfundon në kanalin e fshatit Kallm, ka dalë nga rruga gjatë natës

10:20, 22/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një automjet tip Volkswagen ka përfunduar brenda një kanali vaditës në zonën e Kallmit, në një rrugë rurale që të çon drejt inceneratorit të Fierit.

Sipas burimeve nga Drejtoria Vendore e Policisë Fier dhe informacioneve nga vendngjarja, automjeti dyshohet se ka dalë nga rruga pasi ka kaluar një kthesë, duke përfunduar në kanalin e mbushur me ujë.

Fatmirësisht, nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar apo viktima. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i automjetit dhe personat e tjerë që mund të kenë qenë në të kanë arritur të dalin pa dëmtime. Nga aksidenti janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Banorët e zonës dhe burime pranë vendngjarjes bëjnë me dije se automjeti mund të ketë përfunduar në kanal që në orët pas mesnatës.

Deri më tani nuk dihet identiteti i personit që drejtonte mjetin në momentin e incidentit.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen verifikimet përmes targave të automjetit, me qëllim identifikimin e pronarit dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Automjeti vijon të ndodhet brenda kanalit vaditës, ndërsa autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rastit./Xhemil Beharaj - Syri tv/

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco