Në episodin e sotëm të podkastit “Flasim” me kryeministrin Edi Rama, në fokus ishte platforma e re “Pasqyra e Çmimeve”
Drejtuesja e projektit tha se platforma “Pasqyra e Çmimeve” ka regjistruar mbi 10 mijë vizitorë unikë që prej lançimit, ndërsa të dhënat e saj tregojnë se 34% e produkteve kanë pësuar ulje çmimi gjatë pesë javëve të fundit.
Ajo tha se transparenca e çmimeve ka ndikuar në rritjen e konkurrencës mes tregtarëve, ndërsa bëri të ditur se platformës i është shtuar edhe opsioni i kërkimit përmes barkodit, për ta lehtësuar përdorimin nga qytetarët.
“Mbi 10 mijë vizitorë unikë, faqja është hapur mbi 63 mijë herë dhe një vizitor qëndron mbi 3 minuta në faqe, pra jo vetëm për të parë dizajnin e faqes, por shfleton mesatarisht 5 faqe. Kjo tregon interes nga qytetarët.
Në pjesën e lëvizjes së tregut, sipas të dhënave, është vënë re që për 5 javë 34% e produkteve që kanë pasur ulje. Kemi kontaktuar edhe me tregtarët, sepse i ndihmojmë në hedhjen e të dhënave. Na kanë thënë që: “Pse unë jam i fundit? Do e rregullojmë, do e ulim çmimin. Pse jam unë tregtari me çmim më të lartë, kur s’kam pse të jem?” Dhe është vënë re që shumica kanë rritur numrin e artikujve që kanë çmim më të ulët. Është vënë re konkurrenca, ka lëvizur tregu sepse ka transparencë të dhënash. Aktualisht e kemi zhvilluar më shumë, sepse kemi futur opsionin e barkodit, që qytetari ta ketë më të lehtë për ta përdorur. Është në raftet e supermarketeve”, u shpreh drejtuesja e platformës.
