Ish-kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale pas përjashtimit nga strukturat e Partisë Socialiste dhe nisjes së një procedimi nga SPAK ndaj saj. Në reagimin e saj, Spiropali thekson se nuk pendohet, nuk gjunjëzohet dhe nuk pret mëshirë nga askush, ndërsa shprehet ashpër ndaj atyre që i cilëson si hajdutë dhe manipulues.
“Unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia”, shkruan Spiropali.
Me një gjuhë metaforike dhe referenca historike, nga Perandoria Kineze te Kleopatra, ajo përcjell mesazhin se nuk e sheh humbjen e një pozicioni apo përballjen me vështirësitë si arsye për t'u tërhequr.
Një pjesë të veçantë të reagimit ajo ia kushton edhe kritikave ndaj atyre që i cilëson si “hajdutë dhe manipulues”, të cilët sipas saj fshihen pas imazhit të liberalëve, kozmopolitëve dhe njerëzve të drejtë, ndërsa në të vërtetë ushtrojnë sjellje tiranike.
Postimi i plotë i Spiropalit:
Sikur çoç më ndodhi
Ca që s'më njohin po janë të habitur sikur çoç më ndodhi.
U duket sikur ma prenë kokën. Dhe mund të jetë e vërtetë. Por s'më bën asnjë përshtypje. Jam si ato qëniet mitologjike që po më preve 1 kokë, më dalin 7 të tjera.
Mirëpo, pavarësisht nga numri i kokave të prera, 1, 7, apo 17, unë nuk pendohem, nuk lutem, nuk gjunjëzohem, nuk pres mëshirë kurrë dhe prej askujt. Për mua nuk ekziston mëshira. Për mua ekziston Drejtësia. Në këtë kuptim unë për askënd mëshirë nuk kam.
Për të mos u habitur për çfarë ndodh ose nuk ndodh me mua, duhen ditur disa gjëra, duhen pasur disa njohurira.
Për shembull, duhet ditur se, në një tjetër kohë, në një tjetër shekull, kur demokracia akoma nuk ishte shpikur, nëse do isha Perandoreshë e Kinës, për ta mbrojtur botën nga shpirtzinjtë, do të ndërtoja një Mur Kinez njëqind herë më të gjatë dhe dhjetë herë më të gjërë e më të lartë. Ndërsa po të isha Kleopatra, pa m'u trembur syri, pa më lëvizur nervi, do dënoja ose do falja gjthkënd që e meriton, dhe do ikja të flija e qetë si qengj, sepse bëra çfarë duhej bërë për të mirën e vendit tim që e dua pafund.
Unë nuk lexoj as nuk dëgjoj gazeta që kërcënojnë, shkrime që tregojnë përralla, portale që shpifin, televizione që thurin intriga, hajdutë që hiqen të ndershëm nëpër banaqe, dhe të tjera dreqnira provizore. Në vend të të gjitha këtyre, unë bëj diçka të thjeshtë dhe madhështore, të përhershme dhe të pavdekshme. Ulem e lexoj libra. Kurrë në kompjuter. Vetëm në letër.
Për mua, restoranti është vendi më i papërshtatshëm për të ngrënë. Specialitetet që servir janë më të këqijat. Çfarë pëlqej unë, nuk është havjari, as korani. Është byreku me spinaq ose hithra në një katund të Kelmendit, Zadrimës, Kolonjës, Labërisë. Mu në mes të fshatit. Mu nën hijen e lisit të kuvendit. Dhe çfarë pi unë, nuk janë as vera as shampanja, por uji ose dhalla.
Unë duroj, rri pa ujë me ditë e me javë si deveja, pres si ariu sa të ikë dimri e të vijë behari.
Unë jam si dhia. Ha gjëra të zgjedhura duke u ngjitur e zbritur nëpër shkrepa, pa u frikësuar se rrëzohem nga shkëmbi, jo më të rrëzohem e ngjitem nga froni apo kolltuku, që s'më bën asnjë përshtypje.
Unë ngul këmbë si mushka për diçka të drejtë. Jo me javë e me muaj, por deri në fund të frymës, deri matanë jetës e përtej vdekjes.
Çfarë unë urrej me gjithë shpirt dhe e konsideroj të keqen më të rrezikshme, janë hajdutët dhe manipulatorët që mbahen për liberalë, kozmopolitë, të drejtë, të squtë, europianë, por janë tiranë.
Unë jam ajo që fryj erën, sjell shiun, lëshoj breshërin, ngre cunamin, thaj detet, rrafshoj malet, nxij ditën, zbardh natën.
Unë jam ajo që mbaj ndezur zjarrin.
Unë jam ajo që e tillë nuk u bëra, por e tillë isha dhe do jem e tëra që kur linda.
Unë nuk kam 1, unë kam 10 milionë zemra të kuqe të përgjakura, të cilat ua fal të gjitha 10 milionë shqiptarëve kudo ku janë, të rrahin të lira, secila me muzikën e vet, të gjitha bashkë me muzikën më të bukur të botës, atë të dashurisë së pafundme për Shqipërinë prej së cilës presim veç një shkelje syri për të bërë gjithçka.
Kjo jam unë.
Të tjerat janë llafe kafaneje.
Dhe ka që habiten sikur çoç më ndodhi në një mbledhje.











Komente
Komento