Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar pas komenteve dhe sulmeve të shumta në rrjetet sociale ndaj të rinjve që morën pjesë në takimin me Kryeministrin Edi Rama.
Përmes një deklarate publike, Kumbaro e cilësoi këtë fenomen si një formë terrorizimi të hapësirës publike, që cenon lirinë e shprehjes dhe krijon frikë te të rinjtë për të shprehur hapur mendimet e tyre.
Ministrja theksoi se pjesëmarrja në një takim apo shprehja e një mendimi nuk kërkon miratimin e askujt, ndërsa dënoi çdo përpjekje për të sulmuar dhe linçuar të rinjtë që ishin të pranishëm në takimin me kreun e qeverisë.
Sipas saj, gjatë takimit që zgjati më shumë se tre orë nuk pati asnjë cenim ndaj pjesëmarrësve, ndërsa shqetësuese e cilësoi faktin që në vitin 2026 të rinjtë mund të ndihen të frikësuar për shkak të reagimeve në internet.
Kumbaro i drejtoi kritikat ndaj profileve anonime në rrjetet sociale, të cilat sipas saj përdorin bullizimin, linçimin dhe intimidimin si mjete për të penguar lirinë e shprehjes.
Ajo paralajmëroi gjithashtu se një shoqëri që i shtyn të rinjtë të heshtin dhe i ndëshkon për mendimet e tyre rrezikon të dëmtojë të ardhmen e saj.
