Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, paralajmëroi se projektligji që u hap rrugë marrëveshjeve të drejtpërdrejta me prodhuesit e teknologjisë rrezikon të krijojë një monopol të mbrojtur me ligj në një pjesë të tregut.
Në një postim në rrjetet sociale, ajo i kërkoi shumicës të shpjegojë si do të krahasohen çmimet, kush do të kontrollojë kushtet e kontratave dhe çfarë mundësie do të kenë kompanitë e tjera për të konkurruar.
Sipas Tabakut, shtesa në ligjin për qeverisjen elektronike do t’u lejonte shoqërive operatore të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, si Albanian Digital Solution (ADS), të negocionin drejtpërdrejt me prodhuesit për licenca softuerësh, shërbime cloud dhe shërbime të lidhura me to. Argumenti i paraqitur për propozimin, sipas saj, është se blerja e përqendruar sjell kursime dhe siguron vazhdimësinë e shërbimit.
“Një premtim për çmime më të ulëta nuk mjafton për të justifikuar shmangien e garës”, shkroi Tabaku. Ajo tha se mundësia për të negociuar kontrata drejtpërdrejt do t’i shtohej së drejtës që ka AKSHI për t’u kaluar sisteme dhe infrastrukturë në administrim këtyre shoqërive. Sipas saj, mundësia e pjesëmarrjes private deri në 49% e bën edhe më të rëndësishme transparencën në përzgjedhjen e partnerëve, vlerësimin e pasurive publike dhe ndarjen e përfitimeve.
Tabaku iu referua të dhënave të Komisionit të Prokurimit Publik të raportuara nga BIRN, sipas të cilave 43 nga 94 tenderët e zhvilluar nga AKSHI në vitin 2025 u ankimuan.
Në 62,7% të ankimeve, kompanive ankuese iu dha e drejtë plotësisht ose pjesërisht. Deputetja kërkoi të sqarohet se çfarë mundësish do të kenë operatorët për të kundërshtuar kriteret dhe për të ankimuar vendimmarrjen kur kontraktimi bëhet drejtpërdrejt.
Duke e lidhur çështjen e ADS-së me përjashtimet nga procedurat standarde në sektorë të tjerë, Tabaku kërkoi shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike dhe heqjen e privilegjeve që, sipas saj, kufizojnë konkurrencën, përfshirë përjashtimet në sektorin e porteve.













