Nga Fatos Çoçoli
Më 20 nëntor 2026, tre ditë më parë, euro zbriti për herë të parë nën kufirin e 90 lekëve, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, duke arritur në 89,78 lekë dhe shënuar nivelin më të ulët historik.
Vetëm gjashtë muaj më parë, në maj 2026, dukej e pamundur edhe ulja nën nivelin 95 lekë për një euro. Ndërkohë në nëntor 2022, euro këmbehej me rreth 118 lekë, gati një të katërtën më shumë se sot. Çfarë ka ndodhur me monedhën evropiane? A kemi të bëjmë me një zhvlerësim të përkohshëm të euros, apo me një ekuilibër të ri të tregut valutor shqiptar?
Rënia e euros nën 90 lekë nuk është thjesht një zhvillim i tregut valutor. Ajo është një nga ndryshimet më të rëndësishme ekonomike të viteve të fundit në Shqipëri, me pasoja të drejtpërdrejta për familjet, bizneset, eksportuesit, importuesit, turizmin, investimet dhe financat publike.
Përfituesit dhe humbësit në ekonominë tonë
Për shumë qytetarë, një euro më e lirë është lajm i mirë. Për bizneset që eksportojnë në tregjet evropiane, është një shqetësim serioz. Për ata që kanë kredi në euro dhe të ardhura në lekë, është një lehtësim. Ndërsa për ata që marrin paga, pensione apo të ardhura nga emigracioni në euro, fuqia blerëse në Shqipëri është zvogëluar.
Rënia e euros krijon fitues dhe humbës. Nuk është një zhvillim që prek të gjithë qytetarët dhe bizneset në të njëjtën mënyrë.
Tabela 1. Fituesit nga rënia e euros
|
Grupet
|
Efekti i euros më të lirë
|
|
Familjet me të ardhura në lekë
|
Përmirësim i fuqisë blerëse për mallrat e importuara
|
|
Konsumatorët e produkteve të importuara
|
Mundësi për çmime më të ulëta
|
|
Importuesit
|
Ulje e kostos së blerjes së mallrave në euro
|
|
Kredimarrësit me kredi në euro dhe të ardhura në lekë
|
Ulje e këstit të konvertuar në lekë
|
Tabela 2. Humbësit nga rënia e euros
|
Grupet
|
Efekti i euros më të lirë
|
|
Eksportuesit shqiptarë
|
Ulje e të ardhurave në lekë për çdo euro të arkëtuar
|
|
Turizmi dhe hotelet që arkëtojnë në euro
|
Ulje e të ardhurave të konvertuara në lekë
|
|
Familjet që marrin remitanca në euro
|
Më pak lekë për çdo euro të dërguar
|
|
Punonjësit që paguhen në euro
|
Ulje e vlerës së pagës kur konvertohet në lekë
|
Lind pyetja: a duhet të shqetësohemi për këtë rënie të euros, apo duhet të mësohemi me një realitet të ri të ekonomisë sonë?
Shpjegimi nuk gjendet vetëm tek euro. Duhet të shohim edhe forcimin e lekut dhe ndryshimin e raportit ndërmjet kërkesës dhe ofertës për valutë në ekonominë tonë. Kur në tregun tonë hyjnë më shumë euro nga sa na duhet për pagesat jashtë vendit, atëhere krijohet presion i madh për uljen e kursit të euros kundrejt lekut.
Dhe vendi ynë në pesë vitet e fundit ka përjetuar një rritje të konsiderueshme të burimeve të hyrjes së valutës. Janë tre burimet kryesore nga vijnë eurot e shtuara ndjeshëm: turizmi, investimet e huaja dhe emigrantët
Ka disa arsye ekonomike që shpjegojnë këtë forcim me 24 përqind të lekut në pesë vitet e fundit.
Së pari, turizmi. Kjo industri është shndërruar në një nga burimet më të rëndësishme të valutës për ekonominë tonë. Miliona vizitorë të huaj sjellin euro dhe valuta të tjera(kryesisht paund britanik), të cilat konvertohen në lekë për pagesat e hoteleve, restoranteve, transportit, shërbimeve dhe aktiviteteve të tjera.
Rritja e të ardhurave nga turizmi, e shoqëruar me zgjerimin e kapaciteteve akomoduese dhe të numrit të vizitorëve, ka rritur ofertën e valutës në tregun vendas.
Së dyti, janë investimet e huaja direkte. Investimet e huaja, veçanërisht në pasuri të paluajtshme, turizëm, ndërtim dhe shërbime sjellin gjithashtu hyrje të konsiderueshme të valutës. Për gjashtëmujorin e parë janar-qershor 2026, investimet e huaja direkte arritën nivelin rekord 1.14 miliardë euro, 53 përqind më shumë se në janar-qershor 2025.
Nëse një investitor i huaj sjell euro për të blerë një pronë, për të ndërtuar një hotel apo për të financuar një aktivitet ekonomik, krijohet ofertë shtesë për monedhën evropiane.
Së treti, janë emigracioni dhe dërgesat e emigrantëve. Paratë që shqiptarët jashtë vendit dërgojnë tek familjet e tyre janë një burim tradicional i valutës. Ato ndihmojnë konsumin familjar, financojnë blerjen e banesave, investimet e vogla dhe shpenzimet për arsim e shëndetësi. Dhe kur këto para konvertohen në lekë, shtojnë ofertën e euros në treg.
Këto tri burime, së bashku me eksportet e shërbimeve dhe flukset e tjera financiare, kanë ndryshuar strukturën e tregut tonë valutor dhe të mbarë ekonomisë sonë.
Sa ndikon ekonomia kriminale në rënien e euros?
Një nga shpjegimet që dëgjohet shpesh për forcimin e lekut është prania e parave me burim të paligjshëm në ekonominë tonë.
Sigurisht, flukset informale dhe pastrimi i parave ndikojnë në tregun valutor. Kur hyjnë shuma të konsiderueshme parash informale apo edhe të pista, dhe konvertohen në lekë për blerje pronash, investime apo shpenzime, ato shtojnë presionin mbi kursin e këmbimit.
Por nuk ka kuptim që gjithë rënia e euros me një të katërtën në pesë vitet e fundit t’i atribuohet ekonomisë informale apo kriminale! Kjo e fundit kontribuon apo jo në 5-7 përqind të uljes së euros tek ne.
A kemi një ekuilibër të ri të euros me lekun?
Kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme. Ekonomia jonë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Turizmi ka marrë një peshë shumë më të madhe, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme kanë tërhequr kapital të huaj, ndërsa lidhjet financiare me Diasporën janë zgjeruar.
Në këto kushte, niveli i ri i kursit të këmbimit pasqyron një ndryshim më të qëndrueshëm në raportin ndërmjet ofertës dhe kërkesës për valutë. Kursi i këmbimit ndikohet nga sezonaliteti. Në muajt e verës, hyrjet nga turizmi rriten ndjeshëm, ndërsa gjatë periudhave të tjera të vitit, kërkesa për euro mund të rritet për shkak të importeve, pagesave të borxhit, udhëtimeve dhe transferimeve financiare.
Për këtë arsye, euro do të vijojë përjetojë luhatje të konsiderueshme gjatë gjithë vitit. Mirëpo, derisa burimet strukturore të valutës(turizmi, investimet e huaja dhe paratë e emigrantëve) vazhdojnë të rriten, ekonomia jonë ka hyrë në një periudhë, ku euro do të qëndrojë mesatarisht në nivele më të ulëta se ato me të cilat jemi mësuar në të kaluarën. Pra, t’i harrojmë nivelet një euro njëqind e dhjetë, apo njëqind, apo edhe 95 lekë
Nëse hyrjet valutore nga turizmi vazhdojnë të rriten, investimet e huaja mbeten të larta dhe oferta e euros tejkalon kërkesën, kursi i këmbimit do të përjetojë presione të mëtejshme në drejtim të rënies.
Në këtë drejtim, një nivel pranë 85 lekëve për euro nuk është më një skenar i pamundur. Për këtë arsye, familjet dhe bizneset tek ne duhet të përgatiten për mundësinë e një euroje më të dobët.
Rënia e euros e vendos Bankën e Shqipërisë përpara një sfide të rëndësishme: të ruajë stabilitetin e çmimeve dhe të shmangë luhatjet e çrregullta të tregut valutor. Objektivi kryesor i politikës sonë monetare duhet të mbetet inflacioni pranë objektivit prej 3 për qind, brenda një intervali orientues 2–4 për qind.
Për qytetarët, kjo është shumë më e rëndësishme sesa një nivel i caktuar i kursit të këmbimit. Kjo, ngaqë fuqia blerëse e tyre nuk përcaktohet nga kursi i euros, por nga raporti ndërmjet të ardhurave dhe çmimeve të mallrave e shërbimeve që marrin.
Prandaj dhe nuk kemi pse ta festojmë pa rezerva rënien e euros, por as ta konsiderojmë atë si fatkeqësi ekonomike.
Për muajt e ardhshëm duhet të përgatitemi edhe për mundësinë e një euroje pranë 85 lekëve, sidomos në pikun turistik të korrikut dhe gushtit 2027. Veçse kjo mbetet një mundësi, jo një parashikim i sigurt.
Për qytetarët, objektivi kryesor duhet të jetë ruajtja e fuqisë blerëse, me inflacion të kontrolluar dhe të ardhura që rriten realisht. Për bizneset, sfida është të përshtaten me një kurs të ri këmbimi dhe të rrisin produktivitetin. Për qeverinë, detyra është të mos e ngatërrojë forcimin e lekut me rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë.
Në fund të fundit, për ne nuk është e rëndësishme vetëm sa lekë marrim për një euro. E rëndësishme është sa mallra dhe shërbime blejmë me pagën tonë, sa vende pune krijon ekonomia dhe sa të qëndrueshme janë të ardhurat tona.
Një lek i fortë është një avantazh për qytetarin kur shoqërohet me një ekonomi të fortë. Dhe një ekonomi e fortë nuk ndërtohet vetëm dhe thjesht me euron e lirë. Ajo ndërtohet me prodhim, eksporte, investime, produktivitet dhe paga më të larta.










