Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar në Libohovë, pas ndërhyrjes së Policisë, e cila arrestoi një 40-vjeçar që kishte kërcënuar bashkëshorten e tij me armë zjarri.
Sipas policisë, shtetasi T. B., pas një konflikti për motive të dobëta me bashkëshorten, e kishte kanosur se do ta vriste me armë zjarri automatike. Më pas, ai ishte larguar me automjet dhe kishte qëlluar me armë në ajër.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, Stacionit të Policisë Dropull-Libohovë dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja” organizuan ndërhyrjen për parandalimin e një ngjarjeje të mundshme kriminale dhe arrestimin e tij.
Pas rreth 2 orësh e 30 minutash negociata me Policinë, u bë i mundur neutralizimi dhe arrestimi në flagrancë i 40-vjeçarit, banues në Libohovë, i cili rezulton me precedentë të mëparshëm penalë.
Gjatë ndërhyrjes, Policia sekuestroi armën automatike, e cila kishte fishekë në folenë e fishekut, si dhe krehërin me municionin përkatës.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
