Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane janë arrestuar në Shkodër dhe në Vorë, në kuadër të dy fazave të tjera të operacionit policor “Fast”.
Policia e Shtetit njofton se operacioni u finalizua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Shkodër dhe Tiranë, pas shkëmbimit të informacioneve me Interpol Romën.
Në Shkodër u arrestua 45-vjeçari me inicialet A. D., alias V. D., i dënuar nga Gjykata e Apelit e Romës me 7 vite e 11 muaj burgim për vjedhje me dhunë në bashkëpunim, vjedhje me thyerje në tentativë, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe dhunë ose kanosje ndaj punonjësit publik. Atij i kanë mbetur për të vuajtur edhe 5 vite, 4 muaj e 2 ditë burgim.
Ndërsa në Vorë u kap 49-vjeçari B. K., i dënuar nga Gjykata e Apelit e Barit me 4 vite burgim për veprat penale “Torturë” dhe “Skllavëri”. Nga dënimi i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 11 muaj e 3 ditë burgim.
Të dy personat janë arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali. Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e tyre. a.b





