Kapet bosi i drogës në Meksikë, “El Chapo Isidro” është një nga 10 personat më të kërkuar nga FBI

Forcat speciale të Meksikës kanë arrestuar Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”, një nga 10 personat më të kërkuar nga FBI-ja.
Sipas autoriteteve amerikane, për më shumë se 20 vjet, Meza Flores dhe grupi i tij kanë trafikuar sasi të mëdha heroine, kokaine, metamfetamine dhe marihuane drejt Shteteve të Bashkuara.
Operacioni i arrestimit u shoqërua me përleshje të armatosura në disa zona. Anëtarë të kartelit ngritën postblloqe dhe dogjën automjete, ndërsa forcat meksikane të sigurisë ndërhynë për të rimarrë kontrollin.
Pas perplasjeve katër ushtarë meksikanë humbën jetën, ndërsa shtatë persona të armatosur u vranë dhe tetë të tjerë u arrestuan.
Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan edhe armë të rënda.
Arrestimi vjen në një kohë kur Meksika po përballet me presionin e presidentit amerikan Donald Trump për të luftuar më fort kartelet e drogës. Trump ka kërcënuar edhe me ndërhyrje të njëanshme ushtarake në territorin meksikan, nëse autoritetet nuk marrin masa më të forta kundër organizatave kriminale.




