Në Ditën e Alfabetit, Ahmeti takon Ramën: Bashkëpunim dhe unitet për shqiptarët kudo që jetojnë

Maqedonia e Veriut | 5 minuta më parë

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, është takuar sot me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin ka diskutuar për çështje me interes të përbashkët për shqiptarët dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Në fokus të takimit ishin çështjet me interes të përbashkët për shqiptarët, perspektiva evropiane, partneriteti në kuadër të NATO-s dhe sfidat me të cilat përballen dy vendet.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ali Ahmeti bëri të ditur se takimi me Ramën u zhvillua në një datë me simbolikë të veçantë për shqiptarët, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe në prag të 28 Nëntorit.

“Sot pata kënaqësinë të takoj Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë dhe mikun tim, z. Edi Rama. Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane, partneritetin në kuadër të NATO-s dhe përgjigjen e përbashkët ndaj sfidave me të cilat përballemi”, ka shkruar Ahmeti.

Ai theksoi se takimi merr një domethënie të veçantë për shkak të kohës në të cilën u zhvillua.

“Ky takim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se zhvillohet më 22 Nëntor, në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe në vigjilje të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë. Këto ditë të Nëntorit të Madh na rikujtojnë rrugëtimin tonë historik, sakrificat ndër breza dhe rëndësinë e bashkimit rreth gjuhës, flamurit dhe interesave tona kombëtare”, theksoi kreu i BDI-së.

Sipas Ahmetit, shqiptarët kudo që jetojnë duhet të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe lidhjet mes tyre.

“Shqiptarët, kudo që jetojnë, kanë arsye dhe përgjegjësi të ndërtojnë ura bashkëpunimi, të forcojnë lidhjet ndërmjet tyre dhe të kontribuojnë së bashku për një të ardhme evropiane, të sigurt dhe me perspektivë. Gëzuar 22 Nëntorin dhe le të na bashkojë gjithmonë fryma e Nëntorit shqiptar!”, ka shkruar Ahmeti në Facebook.

https://www.facebook.com/photo?fbid=1682318186595630&set=pcb.1682319786595470

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme