
Hakerat po intensifikojnë sulmet kibernetike ndaj porteve dhe anijeve të mallrave në SHBA, duke goditur arteriet jetike të tregtisë globale me mijëra përpjekje sulmesh çdo ditë.
Sulmet janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit, me një valë ndërhyrjesh që kanë vënë në shënjestër portet, cisternat e naftës dhe gjigantët e transportit detar. Kërcënimet, gjithnjë e më të sofistikuara, po kryhen nga kriminelë kibernetikë dhe grupe të lidhura me shtete armiqësore, duke ekspozuar dobësitë e rrjeteve të vjetruara që mundësojnë tregtinë ndërkombëtare.
Në Portin e Corpus Christi në Teksas, pika më e madhe hyrëse në SHBA për eksportet e naftës bruto, që arrijnë në rreth 2,3 milionë fuçi në ditë, drejtuesit thonë se hakerat hetojnë sistemet e tyre qindra, madje mijëra herë në ditë, duke u përpjekur të depërtojnë në rrjete dhe të mashtrojnë punonjësit që t’u japin akses.
Sulmet mund të variojnë nga përpjekjet e automatizuara për të hamendësuar fjalëkalimet dhe për të mbingarkuar rrjetet kompjuterike, deri te ndërhyrjet më të sofistikuara që synojnë vjedhjen ose fshirjen e të dhënave.
Ekspertët i lidhin vende si Irani, Koreja e Veriut dhe Kina me operacione hakerimi që vënë në shënjestër infrastrukturën e transportit detar. Kompania e sigurisë kibernetike Shieldworkz tha se grupi rus Noname057(16) kërcënoi operatorët evropianë në tetor, megjithëse grupe të tilla i zhvillojnë operacionet e tyre përmes vendeve të treta.
Një valë defektesh teknologjike gjatë javëve të fundit ka nxjerrë në pah cenueshmërinë e infrastrukturës tjetër kritike dixhitale të SHBA-së. Një ndërprerje mbarëkombëtare e trafikut ajror bllokoi qindra mijëra pasagjerë një javë më parë, ndërsa një defekt në softuerin e bankës Chase shkaktoi probleme në sistemet e saj bankare të hënën, vetëm pak ditë pasi shërbimi Outlook i Microsoft pësoi një ndërprerje që zgjati gati 24 orë.
Asnjë prej këtyre incidenteve nuk është lidhur me një sulm kibernetik, por kaosi nënvizon rrezikun e madh që paraqitet në një kohë kur përparimet e shpejta në inteligjencën artificiale mund t’u mundësojnë hakerave të zbulojnë dhe shfrytëzojnë dobësitë më shpejt nga sa kompanitë arrijnë të reagojnë.
FBI paralajmëroi javën e kaluar se hakerat po përdorin një mjet të inteligjencës artificiale të quajtur Artex për të automatizuar sulmet kibernetike.
Drejtori ekzekutiv i Portit të Corpus Christi, Kent Britton, tha se përpjekjet për sulme janë rritur në një ritëm prej “qindra, në mos mijëra” në ditë, të kryera nga shtete dhe organizata të njohura si “aktorë keqdashës”, të cilat kërkojnë objektiva me profil të lartë. Ai nuk pranoi të identifikonte sulmues konkretë.
Hakerat po hetojnë sistemet kompjuterike të portit për të zbuluar dobësitë dhe po dërgojnë mesazhe mashtruese, duke u paraqitur si drejtues të lartë, me qëllim që të bindin punonjësit t’u japin akses.
“Ata po testojnë sistemet tona dhe po përpiqen të gjejnë dobësitë”, tha Britton. “Me inteligjencën artificiale, gjithçka do të bëhet edhe më e ndërlikuar.”
Kërcënimi po rritet në të gjithë SHBA-në. Roja Bregdetare Amerikane raportoi një rritje prej 17 për qind të incidenteve kibernetike në sektorin detar vitin e kaluar dhe, së bashku me FBI-në, hetoi sulmet kibernetike ndaj dy cisternave të naftës me destinacion SHBA-në në gusht.
Anijet po transportonin naftë bruto dhe gaz të lëngshëm të naftës nga Mesdheu drejt Galvestonit, në Teksas, kur hakerat depërtuan në sistemet e tyre pranë Ngushticës së Gjibraltarit. Hetuesit nuk kanë identifikuar publikisht të dyshuarit.

Agjencitë thanë se kontrollet e përbashkëta të sigurisë në det, të kryera më 21 dhe 24 gusht, kishin për qëllim “të garantonin integritetin e sistemeve operative dhe të teknologjisë së informacionit të anijeve, pas sinjaleve se rrjetet e të dyja anijeve ishin komprometuar”.
Nëse hakerat arrijnë të depërtojnë në sistemet e porteve, ata mund të paralizojnë tregtinë, të ndërpresin eksportet e energjisë dhe të rrezikojnë jetën e njerëzve në det. Në gusht, Autoriteti Portual i Karolinës së Veriut njoftoi se sistemet e tij të teknologjisë së informacionit kishin përjetuar një sulm kibernetik nga një “aktor i jashtëm”. Megjithëse sulmi u izolua një ditë më vonë, hapja e portave u vonua dhe porti u detyrua të kalonte në përpunimin manual të të dhënave, shkruan Financial Times.
Porti i Los Anxhelosit tha se në gusht kishte neutralizuar 120 milionë përpjekje sulmesh, gati dyfishi i mesatares mujore të vitit 2023. Këtu përfshihen përpjekjet e automatizuara për të depërtuar në rrjete, për të mbledhur fjalëkalime dhe për të instaluar programe keqdashëse.
Kompania Maersk raportoi këtë muaj një ndërhyrje gjatë së cilës hakerat vodhën të dhëna, por tha se operacionet e saj nuk u prekën. Gjiganti i transportit detar deklaroi se incidenti nuk ishte një sulm me ransomware, pra me programe që bllokojnë të dhënat dhe kërkojnë shpërblim për zhbllokimin e tyre.
Portet po marrin masa për të mbrojtur rrugët e tyre ujore. Porti i Virxhinias, një qendër e rëndësishme për mallrat e konsumit, produktet bujqësore dhe qymyrin, tha se kërcënimi nga sulmet është tashmë “më i mprehtë për shkak të rritjes së përdorimit të inteligjencës artificiale”. Porti po investon shumë në ekipin e sigurisë kibernetike, ndërsa punonjësit zhvillojnë trajnime mujore dhe ushtrime simuluese me Rojën Bregdetare Amerikane. Zëdhënësi Joe Harris tha se porti nuk kishte pësuar ende ndonjë depërtim të suksesshëm, por paralajmëroi për pasojat potencialisht katastrofike të një sulmi.
“Ne jemi një pikë kyçe e ekonomisë, ku mund të krijohet një ngërç”, tha ai. “Të nxirremi jashtë funksionit nuk është një mundësi.”
Porti i Corpus Christi, i cili katër vjet më parë nuk kishte asnjë punonjës të dedikuar për sigurinë kibernetike, është gati të punësojë personin e katërt në këtë sektor. Ai ka gjithashtu një departament policie me rreth 50 oficerë dhe një njësi të Rojës Bregdetare. Megjithatë, siç tha Britton, porti ka edhe plane emergjence “shumë analoge” në rast se një sulm arrin të kapërcejë mbrojtjen e tij.
Rimorkiatorët mund t’i shoqërojnë anijet nëpër segmente të kanalit, ndërsa zyra e kapitenit të portit mund të përdorë radio dykahëshe, dylbi, dokumente në letër dhe madje edhe sinjale me duar për të drejtuar lëvizjen e trafikut detar në rast emergjence.
Autoriteti Portual i Nju-Jorkut dhe Nju-Xhersit po investon gjithashtu shumë në mbrojtjen kibernetike. Një zëdhënës tha se institucioni ka “disa shtresa të pavarura mbrojtjeje” dhe “plane rikuperimi me operatorët e terminaleve dhe partnerët, në mënyrë që operacionet kritike të mund të vazhdojnë dhe ngarkesat të vijojnë të lëvizin”.
Portet e tjera ngurrojnë të diskutojnë publikisht kërcënimet me të cilat përballen dhe masat e tyre mbrojtëse. Porti i Oaklandit tha se nuk do të diskutonte publikisht “mbrojtjen apo masat e sigurisë kibernetike”, duke përmendur shqetësimet për sigurinë kombëtare.
Corpus Christi refuzoi të jepte hollësi të mëtejshme për ngjarjet e fundit, por tha se po kërkon ndihmë shtesë nga Uashingtoni.
“Nëse je në mbrojtje, duhet t’ia dalësh mbanë çdo herë. Nëse planifikon sulmin, mjafton t’ia dalësh vetëm një herë”, tha Britton.