Vendosni fjalën kyçe....

Ndërtuesit bast 620 miliardë eurosh në infrastrukturën e mbrojtjes në Evropë


Kompani evropiane të ndërtimit dhe të materialeve të ndërtimit po vënë bast për një rritje të mundshme prej 620 miliardë eurosh të shpenzimeve për infrastrukturën e mbrojtjes gjatë dekadës së ardhshme, ndërsa kontinenti po nxiton të rindërtojë bazat ushtarake, aeroportet dhe urat, mes kërcënimit të agresionit rus.

Grupe të mëdha ndërtimi, përfshirë ACS-në e Spanjës, Strabag-un e Austrisë dhe Vinci-n e Francës, parashikojnë të gjitha një rritje të projekteve të mbrojtjes dhe atyre me përdorim të dyfishtë në vitet e ardhshme. Edhe furnizuesit e mëdhenj, si Heidelberg Materials, Holcim dhe CRH, kanë sinjalizuar rritje të kërkesës.

Për të përfituar nga kjo mundësi, kompanitë e ndërtimit po krijojnë ekipe të posaçme për sektorin e mbrojtjes, po zhvillojnë produkte të reja dhe po sigurohen që punonjësit e tyre të pajisen me certifikatat e nevojshme të sigurisë për projektet sensitive.

“Ekziston një ndërgjegjësim se Evropa duhet të qëndrojë mbi këmbët e veta dhe mbrojtja është një pjesë shumë e rëndësishme e kësaj”, tha Peter Buckley, president i divizionit ndërkombëtar të CRH-së. “Kjo është një mundësi e re për rritje.”

Kompania e produkteve të ndërtimit, me seli në Dublin dhe Nju-Jork, po zhvillon beton me emetime të ulëta karboni, i cili, ndryshe nga asfalti, mund t’u rezistojë më mirë automjeteve të rënda ushtarake dhe dimrave me temperatura shumë të ulëta. CRH ka punësuar gjithashtu specialistë ndërtimi me ekspertizë në infrastrukturën ushtarake.

Rritja e shpenzimeve për projektet që lidhen me mbrojtjen mund t’u japë një shtysë shumë të nevojshme kompanive evropiane të ndërtimit. Çmimet e larta të energjisë, kostot në rritje të financimit dhe pasiguria ekonomike kanë frenuar kërkesën për ndërtime rezidenciale dhe tregtare, duke ndikuar negativisht në çmimet e aksioneve të shumë kompanive të sektorit.

Sipas kompanisë konsulente BCG, Evropa mund të shpenzojë rreth 320 miliardë euro për infrastrukturën e drejtpërdrejtë ushtarake gjatë periudhës 2026-2035. Në këto shifra përfshihen Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia, por jo Ukraina. Paratë mund të përdoren për gjithçka, nga kazermat dhe depot e municioneve, te aeroportet ushtarake dhe bazat detare, zonat e stërvitjes dhe qendrat e komandimit e kontrollit.

Gjatë së njëjtës periudhë, BCG vlerëson se 300 miliardë euro të tjera do të shpenzohen vetëm në Gjermani, Francë dhe Poloni për investime më të gjera në mbrojtje dhe siguri. Këto përfshijnë përshtatjen e infrastrukturës civile, si urat, portet dhe rrjetet energjetike, për ta bërë atë më rezistente dhe të përshtatshme për përdorim ushtarak, për shembull, për transportimin e tankeve të rënda dhe artilerisë.

Pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia dhe presioni i presidentit amerikan Donald Trump i shtynë anëtarët e NATO-s të angazhoheshin vitin e kaluar për të investuar çdo vit 5 për qind të PBB-së në mbrojtje deri në vitin 2035. Kjo përfshin 3,5 për qind për nevojat kryesore ushtarake dhe 1,5 për qind për sigurinë, infrastrukturën dhe gatishmërinë civile.

Megjithatë, shpenzimet reale do të varen nga gjendja financiare e secilit vend, vullneti politik dhe burokracia, veçanërisht në prag të zgjedhjeve kombëtare dhe rajonale në Spanjë, Francë dhe Gjermani.

“Shpesh ekziston një Kanion i Madh mes një angazhimi politik dhe hedhjes së themeleve të një projekti”, tha Anthony Codling, drejtues i kërkimeve për materialet e ndërtimit në RBC Capital Markets. “Premtimet evropiane për mbrojtjen kanë pasur historikisht jetëgjatësinë e një cikli lajmesh politike: shumë retorikë, por pak realizim. Dhe kufizimet fiskale janë reale.”

Megjithatë, qeveritë evropiane mbeten në gjendje gatishmërie të lartë pas sulmeve hibride në Gjermani, Poloni dhe vendet baltike. Shërbimi danez i inteligjencës paralajmëroi së fundmi se Rusia mund të ndërmarrë një sulm të kufizuar ushtarak ndaj një vendi anëtar të NATO-s gjatë muajve të ardhshëm, shkruan FT.

Kompania spanjolle ACS parashikoi këtë muaj se shpenzimet e përgjithshme të tregut për infrastrukturën e mbrojtjes do të pothuajse dyfishohen, duke arritur deri në 120 miliardë euro në vit deri në vitin 2030, nga 68 miliardë euro këtë vit. Kjo përfshin një rritje të shpenzimeve në Evropë, deri në 30 miliardë euro nga 19 miliardë euro në vitin 2026.

“Dy luftëra kanë ndryshuar pritshmëritë e qeverive për infrastrukturën e tyre”, tha gjenerallejtënant në pension i ushtrisë amerikane Michael Fenzel, të cilin ACS e punësoi këtë vit për të drejtuar aktivitetin e saj në sektorin e mbrojtjes. “Ato kanë nevojë për partnerë që mund të mbrojnë njerëzit e tyre, të ruajnë paqen dhe të forcojnë parandalimin e agresionit për dekada të tëra.”

Për të përfituar nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, ACS planifikon t’u ofrojë shërbime edhe klientëve ushtarakë, për shembull, duke menaxhuar flotat e automjeteve ushtarake, duke siguruar karburant dhe duke ndërtuar depo për riparimin e tyre. Kompania do të shqyrtonte edhe mundësinë e blerjeve të kompanive të tjera për të zgjeruar këtë ofertë.

“Një klient që na beson pistën e tij të avionëve, do të na besojë edhe furnizimin me karburant”, tha Fenzel.

ACS ka përfunduar 154 projekte të sigurisë dhe mbrojtjes në Evropë. Aktualisht, ajo po modernizon një aeroport ushtarak në Republikën Çeke dhe një kampus universitar të forcave të armatosura në Gjermani.

Strabag ka deklaruar se po vëren kërkesë të fortë për infrastrukturë në të gjithë Evropën. Për shembull, kompania austriake po ndihmon në ndërtimin e një prej spitaleve më të mëdha ushtarake jashtë SHBA-së, pranë bazës ajrore Ramstein në Gjermani, në kuadër të një kontrate të përgjithshme me vlerë 859 milionë euro.

Shumë kompani ndërtimi dhe furnizues të materialeve të ndërtimit i kishin shmangur më parë projektet ushtarake për shkak të shqetësimeve etike dhe mungesës së projekteve të qëndrueshme. Ky qëndrim ka ndryshuar rrënjësisht.

“Historikisht, puna në infrastrukturën e mbrojtjes nuk ishte tërheqëse dhe financohej më pak në krahasim me sektorët e transportit dhe energjisë, të cilët po rriteshin më shpejt”, tha William Wallace, bashkëdrejtues i sektorit të sigurisë kombëtare, mbrojtjes dhe hapësirës ajrore në kompaninë konsulente DGA Group. “Presioni për riarmatim e ka ndryshuar këtë paradigmë.”

Lufta në Ukrainë ka pasur pasoja zinxhir edhe përtej sektorit të mbrojtjes. Për shembull, vendet evropiane po shpenzojnë më shumë për infrastrukturën energjetike, veçanërisht për energjinë e erës, me qëllim uljen e varësisë nga gazi rus.

“Nga këndvështrimi i mbrojtjes, e gjithë infrastruktura është kritike dhe këtë e kupton nga fakti se ajo shpesh bëhet objektiv që në ditët e para të konflikteve”, tha Christophe Ferrer, drejtor i zhvillimit të biznesit në kompaninë franceze të ndërtimit Vinci.

Megjithatë, shpenzimet duhet të rriten ndjeshëm për të arritur parashikimet e BCG-së. Sipas Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes, shpenzimet e deklaruara të BE-së për infrastrukturën pritet të arrijnë në 11,6 miliardë euro këtë vit. Kjo shifër është rritur me rreth 20 për qind çdo vit që nga viti 2023, por mbetet shumë larg ritmit të nevojshëm për të arritur 320 miliardë euro shpenzime për infrastrukturën ushtarake deri në vitin 2035.

“Procesi kërkon shumë kohë: nga marrja e angazhimit, krijimi i një programi, zhvillimi i procedurës së tenderimit dhe deri te dhënia e kontratës”, tha Annika Zawadzki, drejtuese e punës së BCG-së në sektorin e rrugëve dhe aeroporteve. “Prandaj, shpejtësia me të cilën paratë kalojnë realisht në investime varet shumë nga ky proces.”