Java e 14-të e Albi Mall Superligës së Kosovës është përmbyllur me dy ndeshje me shumë gola dhe emocione, ku Drita dhe Ballkani dolën fituese.

Drita ka shënuar fitore dramatike 4:3 ndaj Feronikelit 74, në një ndeshje ku u realizuan plot shtatë gola.

Feronikeli 74 kaloi në epërsi që në minutën e dytë me Albin Prapashticën, por Drita reagoi në minutën e 16-të, kur Besnik Krasniqi barazoi shifrat. Vetëm shtatë minuta më vonë, Eduard Rroca shënoi për 2:1, duke ia dhënë epërsinë skuadrës gjilanase. Megjithatë, Feronikeli 74 nuk u dorëzua dhe në minutën e 37-të Ibrahim Cërvadiku realizoi për 2:2. Drita e nisi më mirë pjesën e dytë dhe në minutën e 47-të Blerim Krasniqi shënoi për 3:2. Por, gjashtë minuta më vonë, Lorik Dobratiqi riktheu baraspeshën në 3:3.Mirëpo, golin e fitores për Dritën e realizoi Oniks Grezda në minutën e 59-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4:3.

Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 27 pikëve dhe renditet në pozitën e tretë, ndërsa Feronikeli 74 mbetet i shtati me 15 pikë.

Fitore me përmbysje regjistroi edhe Ballkani, që në stadiumin e qytetit në Suharekë mposhti Gjilanin me rezultat 3:1. Pjesa e parë përfundoi pa gola, ndërsa të katër golat u shënuan në 20 minutat e fundit të takimit. Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 70-të, kur kapiteni Armend Thaqi realizoi nga penalltia, pas ndërhyrjes së Albin Berishës ndaj Oltion Bilallit në zonën e rreptësisë. Ballkani reagoi në minutën e 80-të, kur Albin Berisha shënoi golin e barazimit. Situata për Gjilanin u vështirësua edhe më shumë në minutën e 86-të, kur Arbër Potoku u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Skuadra vendase e shfrytëzoi epërsinë numerike dhe në minutën e 89-të Dijar Nikqi realizoi për 2:1. Në minutën e 94-t, Abou Dosso shënoi edhe golin e tretë për Ballkanin. Fillimisht goli u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit të aksionit në VAR u konfirmua se topi te Dosso kishte ardhur nga një lojtar i Gjilanit. Me këtë fitore, Ballkani arrin në 22 pikë dhe ngjitet në pozitën e katërt, duke e kaluar Gjilanin për shkak të goldallimit më të mirë. Edhe skuadra gjilanase ka 22 pikë dhe renditet e pesta.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb