Tre mjete fluturuese ruse ranë në territorin polak, NATO mblidhet me urgjencë pas incidentit ajror

NATO do të zhvillojë të hënën, më 23 nëntor, një takim në Bruksel për të diskutuar incidentin e rëndë ajror në Poloni, ku tre mjete fluturuese me origjinë ruse shkelën hapësirën ajrore të vendit dhe përfunduan në territorin polak.
Ngjarja u regjistrua mëngjesin e 20 nëntorit, gjatë një prej sulmeve më të mëdha ruse ndaj Ukrainës. Sipas raportimeve të mediave të huaja, mes objekteve të identifikuara ishte një raketë lundruese ruse e tipit Kh-101, ndërsa dy të tjerat dyshohet se ishin një raketë dhe një dron me motor reaktiv.
Tre mjetet fluturuese ranë në zona të ndryshme në juglindje të Polonisë, në rajonet Podkarpackie dhe Lubelskie. Autoritetet polake konfirmuan se nga incidenti nuk pati persona të lënduar.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi ngjarjen si të rrezikshme, ndërsa bëri të ditur se avionët luftarakë të Aleancës u ngritën në ajër në përgjigje të shkeljes së hapësirës ajrore polake.
Nga ana tjetër, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se autoritetet kanë përcaktuar origjinën ruse të të tre objekteve, duke mos përjashtuar mundësinë që incidenti të ketë qenë një provokim i qëllimshëm.
Në takimin e së hënës do të mblidhet Këshilli i Atlantikut të Veriut, organi kryesor vendimmarrës i NATO-s. Polonia do të përfaqësohet nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Paweł Zalewski.
Diskutimet do të përqendrohen te shkelja e hapësirës ajrore polake dhe masat që Aleanca duhet të ndërmarrë për të forcuar mbrojtjen e krahut lindor. Takimi zhvillohet në kuadër të konsultimeve mes vendeve aleate, në një kohë kur tensionet e sigurisë në rajon mbeten të larta.
360grade.al



















