
Ujë 24 orë për banorët e kryeqytetit premtoi kryeministri Rama ditën e djeshme në Asamblenë e PS-së për Tiranën.
Në vizionin e shpalosur prej qeverisjes së tij për Tiranën, Rama bëri edhe disa premtime të tjera si zhdukja e mbeturinave dhe zhvillimi i transportit urban.
Ujë 24 orë premtonte Rama edhe në fushatën e vitit 2013, madje jo vetëm për Tiranën, por për të gjithë vendin. E njëjta gjë vlen edhe për transportin urban, për banesat sociale e menaxhimin e mbeturinave.
“Në Tiranën e transformuar nga vendi i mbijetesës, në vendin ku kërkohet orë e çast cilësi më e mirë jete. Duhet t’ua bëjmë të dukshme njerëzve Tiranën ku një çift i ri gjen shtëpi, ku një familje e re gjen çerdhe, ku një i moshuar ecën në trotuar pa u penguar. Tiranën ku një familje që pret të kthehet në shtëpi pas tërmetit ka çelësat në dorë. Tiranën ku uji 24 orë është në çdo cep të saj. Tiranën ku mbetjet dhe riciklimi i tyre nuk janë hall i përditshëm, transporti urban nuk është një tjetër dhimbje koke. Kjo është Tirana 2030. Tirana 2030, ku shtëpitë e vjetra në rrezik nuk bëhen pallate, por bëhen muze, janë bërë muze. Është një rrjet i tërë që ka nisur në atë drejtim. Ku bashkia nuk sillet me qytetarin si taksambledhës që shpik çdo vit e çdo muaj tarifa të reja. Kjo është një autokritikë për të gjitha bashkitë e vendit, por justifikon çdo qindarkë që i merr qytetarit.“, tha Rama.