
Vendet pjesëmarrëse në bisedimet e OKB-së për klimën nuk kanë arritur të bien dakord për një marrëveshje përfundimtare, pasi dy javë negociatash tejet të përçara përfunduan me refuzimin nga udhëheqësit të një projektvendimi, i cili nuk përmbante asnjë referencë për karburantet fosile dhe ofronte një përgjigje të dobët ndaj rritjes së temperaturave.
Bashkimi Evropian, Panamaja dhe disa vende të tjera, përfshirë shtetet e vogla ishullore, deklaruan se e refuzuan marrëveshjen e propozuar nga presidenca e COP31. Vende të tjera morën fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre lidhur me financimin për shtetet që ndodhen në vijën e parë të krizës klimatike, si dhe për pjesë të tekstit që theksonin nevojën për kapjen dhe ruajtjen e karbonit, shkruan Politico.
“Duket se ka palë që kundërshtojnë këtë tekst”, tha presidenti turk i COP31, Murat Kurum. “E kuptoj se nuk ka marrëveshje për këtë tekst. Për këtë arsye, këto vendime nuk janë miratuar.”
Gati 200 shtete u përfshinë në debate intensive për çështje që lidhen me tranzicionin energjetik dhe mënyrën se si duhet reaguar ndaj realitetit se bota nuk do të arrijë objektivin më urgjent klimatik: kufizimin e ngrohjes globale afatgjatë në 1.5°C mbi nivelet paraindustriale.
Ndërsa bisedimet po i afroheshin fundit, palët nuk arritën të kapërcenin ndasitë. Kjo është hera e parë në 17 vjet që negociatat e COP përfundojnë pa një marrëveshje.
“Është e papranueshme që të kemi një vendim përfundimtar që nuk përmban asnjë referencë për karburantet fosile dhe asnjë referencë për largimin gradual prej tyre. Pikërisht për këtë arsye, Bashkimi Evropian e kundërshton fuqimisht këtë tekst”, deklaroi ministri irlandez i Klimës, Darragh O’Brien, duke folur në emër të BE-së.
Panamaja e cilësoi marrëveshjen si një “hap prapa”. Ishujt Marshall deklaruan se pranimi i saj do të përbënte një tradhti.
“Ne nuk do të pranojmë një rezultat që cenon sigurinë tonë dhe kërcënon të ardhmen tonë”, tha negociatorja Kathy Jetn̄il-Kijiner.
Sekretarja britanike e Energjisë, Miatta Fahnbulleh, e cila drejtoi delegacionin e vendit të saj në COP, deklaroi:
“Momenti kërkonte një ambicie të guximshme dhe ne kemi punuar pa u lodhur për të ndërtuar një konsensus. Është jashtëzakonisht zhgënjyese që nuk kemi arritur ta bëjmë këtë.”
Heshtja për karburantet fosile
Pamundësia për të arritur një marrëveshje mbi një tekst kaq përçarës tregon se sa të vështira janë bërë negociatat, në një kohë kur objektivat klimatike të botës po bëhen gjithnjë e më të paarritshme dhe goditjet e çmimeve të energjisë, luftërat dhe inflacioni po vënë në provë gatishmërinë e qeverive për të marrë përsipër angazhime të reja.
Kaosi përbën gjithashtu një dështim për bashkëorganizatorët, Turqinë dhe Australinë, të cilët që në fillim të negociatave kishin shtyrë përpara një marrëveshje që do të theksonte rëndësinë e zgjerimit të përdorimit të energjisë elektrike.
COP31 ishte samiti i parë për klimën që prej paralajmërimit të OKB-së se bota do të tejkalojë pragun e ngrohjes prej 1.5°C, objektivin më urgjent të Marrëveshjes së Parisit, dhe se do të duhet të dyfishojë përpjekjet për të kufizuar ngrohjen e mëtejshme.
Një projektversion i tekstit përfundimtar parashikonte që deri në vitin 2035, 35% e konsumit global të energjisë të mbulohej nga energjia elektrike, nga 23% që është aktualisht. Ky ishte një objektiv i mbështetur veçanërisht nga Turqia.
Teksti i refuzuar nuk përcaktonte shprehimisht se elektrifikimi duhet të ishte “i pastër”, siç kërkonin shumë vende, por theksonte se zgjerimi i burimeve të reja të energjisë duhet të shoqërohej me përpjekjet për të “rritur përdorimin e energjisë së pastër, përmirësuar efikasitetin energjetik dhe shtuar përdorimin e teknologjive të tjera me emetime të ulëta”.
Ekonomia globale parashikohet aktualisht të arrijë në nivelin 30% të elektrifikimit deri në vitin 2035, deklaroi këtë javë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë.
Megjithatë, teksti nuk përmendte karburantet fosile, shkaktarin kryesor të rritjes së temperaturave, tre vjet pasi vendet kishin arritur marrëveshjen e tyre të parë dhe të vetme për të reduktuar gradualisht varësinë nga qymyri, nafta dhe gazi natyror.
Shumë shtete të vogla ishullore, ashtu si edhe BE-ja, kishin kërkuar që në tekst të përfshihej një referencë për eliminimin gradual të përdorimit të karburanteve fosile.
Çështjet që penguan marrëveshjen
Gjatë seancës përfundimtare plenare, Rusia deklaroi se nuk mund të pranonte asnjë angazhim për eliminimin gradual të karburanteve fosile, pavarësisht se kishte rënë dakord për këtë në vitin 2023. Arabia Saudite fajësoi vendet e zhvilluara për emetimet e tyre historike dhe mungesën e gatishmërisë për të bërë lëshime në çështjen e financimit.
Ndërsa negociatorët debatonin nëse duhej të përmendeshin karburantet fosile në dokumentin përfundimtar, tre nga prodhuesit më të mëdhenj të energjisë në botë – Kina, SHBA-ja dhe Rusia – arritën një marrëveshje mijëra kilometra larg, për të rritur prodhimin e naftës.
Kishte edhe pika të tjera mosmarrëveshjeje, si financimi për të ndihmuar vendet më të varfra të përballen me ngrohjen globale dhe teknologjitë që thithin karbonin nga atmosfera. Këto çështje bënë që negociatat të zgjasnin përtej afatit të parashikuar.
Bisedimet arritën të finalizonin disa vendime të detyrueshme. Vendime të tjera u shtynë për vitin e ardhshëm, kur negociatat do të zhvillohen në Etiopi.
Samiti i këtij viti nuk e kishte detyrim miratimin e një vendimi përfundimtar gjithëpërfshirës, por presidenca e COP31 kishte këmbëngulur për arritjen e një marrëveshjeje.
“Kjo është një ditë kur, për herë të parë në 31 pjesëmarrjet e mia në COP, them se është më mirë të mos kemi një vendim që na çon prapa dhe që bie ndesh me atë që po kërkojnë shtetet e vogla ishullore dhe njerëzit më të cenueshëm”, u tha gazetarëve ish-e dërguara gjermane për klimën, Jennifer Morgan.