Deputeti socialist Erion Braçe ka reaguar pas shkarkimit të Zhaneta Beqirit nga drejtimi i Shërbimit Publik të Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë, duke e cilësuar këtë vendim si të padrejtë dhe të dëmshëm për një shërbim që, sipas tij, është kthyer në një model suksesi për kryeqytetin.

Në një postim në Facebook, Braçe i drejtohet kryebashkiakut Erion Veliaj se ky është një gabim i cili duhet rregulluar. Ai e cilëson Beqirin si një prej figurave kryesore që ka kontribuar në ndërtimin e një 'brandi publik', i cili ka arritur të konkurrojë me sukses shërbimin privat.

"Erion, këtë herë e ke gabim! Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës. Një shërbim që e them me plot gojën, është i vetmi brand publik në këtë qytet; ia ka dalë të konkurrojë e të mundë shërbimin privat në këtë lemë. Besoj shumë se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik.

Zhaneta Beqirin unë e njoh në punë, vetëm aty; nuk kam pasur njohje personale me të këto 13 vitet e fundit, kur ajo ka drejtuar këtë shërbim. E njoha këto 20 muaj që punoj në Tiranë; e kam gjetur në çerdhe e kopshte, jo në zyrë. E kam parë krejt rastësisht në Irfan Tomini, Vasil Shanto, zonën e Shushicës, Ish-Bllok, 1 maji – aty me fëmijët, duke i mbajtur në krahë e duke luajtur me ta, me edukatoret, me guzhinieret, me prindërit.

Nuk e kam gjetur në orën 11, 12, 13 etj., por që në 8, 8.05, 8.10, 8.15 të mëngjesit, në punën e saj, pa e ditur aspak për praninë time aty. Dhe unë, i habitur prej përkushtimit të saj, prej kujdesit për higjienën e deri te niveli i muzikës në ambientet e fëmijëve. Nëse sot çerdhet e kopshtet private mbyllen njëri pas tjetrit dhe janë tkurrur shumë, është pikërisht ky brand publik arsyeja; infrastruktura dhe, mbi të gjitha, kujdesi maksimal i çdo punonjësi publik në këtë shërbim: vajzave e grave edukatore, mësueseve ndihmëse, guzhiniereve, sanitareve, psikologeve dhe kësaj gruaje, njesh me to e në krye të tyre", thotë Braçe. 

Braçe thotë se ka marrë edhe mesazhe nga qytetarë, të cilët e kanë konsideruar largimin e Beqirit një gabim dhe një dëm për shërbimin, veçanërisht për fëmijët.

"Sot në mëngjes, një grua, nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna dhe më bëri me dije se ky është një gabim e dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi, mbi të gjitha fëmijëve. Kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e shumta në telefon e në rrjetet sociale. Prindërit i kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ndërtuan dhe e kthyen në brand publik – nuk mund të luhet me ta!", thotë ai.

Përveç kërkesës për kryebashkiakun, Braçe i drejtohet edhe zyrtarëve të tjerë në bashki që ta kthejnë pas këtë vendim.

"Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye, është i padrejtë! Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj; mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë, fëmijësh e prindërish të lumtur!", përfundon Braçe.