Dy persona janë arrestuar nga policia e Durrësit si autorë të dyshuar të vjedhjes së një banese në lagjen numër 4 të qytetit bregdetar. Ata mundën të merrnin rreth 22 mijë euro, 800 mijë lekë dhe sende të shumta me vlerë, por u zbuluan nga uniformat blu pas hetimeve të kryera. Në pranga përfundoi një 51-vjeçar, banues në lagjen nr. 13 të Durrësit, dhe një 24-vjeçare, banuese në Lushnjë. Sipas policisë së Durrësit, 51-vjeçari dyshohet se është autori i vjedhjes së banesës, ku përveç sasisë monetare ai mori dhe ora dore të markave të shtrenjta, bizhuteri, parfume, çanta luksoze dhe sende të tjera me vlerë. Sendet e vjedhura, ai dyshohet se ia dërgoi 24-vjeçares në Lushnjë. Sipas policisë, kjo e fundit kishte dijeni për vjedhjen dhe ka bashkëpunuar me 51-vjeçarin në realizimin e saj. Gjatë kontrollit në banesën e saj, policia gjeti dhe sekuestroi një pjesë të sendeve të vjedhura. Ndërsa në banesën e 51-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan mjetet që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e vjedhjes, përfshirë maska, çelësa dhe veshje. Ata akuzohen për Vjedhje të kryer në bashkëpunim, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e persnave të tjerë të përfshirë por dhe vjedhejve të tjera ku të ndaluarit mund të kenë rol.