Gjermania po përshpejton modernizimin e ushtrisë dhe po përgatitet për skenarët e luftës së së ardhmes.
Ushtria gjermane ka zhvilluar testimet e para operacionale të dronëve kamikazë në Lituani, pranë kufirit me Bjellorusinë, ndërsa po eksperimenton edhe me sisteme të inteligjencës artificiale për identifikimin dhe vlerësimin e objektivave ushtarake, raporton Reuters.
Testimet u zhvilluan gjatë stërvitjes së madhe ushtarake “Freedom Shield”, në poligonin e Rudninkait, ku mori pjesë edhe kreu i ushtrisë gjermane, Christian Freuding.
Gjatë demonstrimit, dronët e prodhuar nga kompanitë gjermane Helsing dhe Stark kryen sulme të simuluara ndaj mjeteve të blinduara dhe tankeve. Pajisjet përdorën koka luftarake joaktive, pa ngarkesë shpërthyese, për të testuar aftësitë e tyre operacionale.
Bëhet fjalë për dronë njëpërdorimësh, të njohur si municione fluturuese që qëndrojnë në ajër (loitering munitions). Ata mund të qëndrojnë për një kohë mbi një zonë të caktuar, të kërkojnë objektiva dhe më pas të drejtohen drejt tyre me shpejtësi, duke shpërthyer në momentin e përplasjes.
Përveç dronëve, ushtria gjermane ka testuar edhe sistemin “Clarity”, një program i zhvilluar nga kompania Helsing, i cili përdor inteligjencën artificiale për analizimin e të dhënave ushtarake.
Sistemi mund të përpunojë sasi të mëdha informacioni të mbledhura nga satelitët, dronët dhe sensorë të tjerë. Më pas, ai analizon situatën në terren dhe mund t’u propozojë forcave ushtarake objektiva dhe veprime të mundshme, duke përshpejtuar procesin e vendimmarrjes.
Këto teknologji po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe në konfliktet moderne, veçanërisht pas përdorimit të gjerë të dronëve nga Rusia dhe Ukraina në luftën mes dy vendeve.
Testimet janë pjesë e planit të Berlinit për të forcuar praninë ushtarake në krahun lindor të NATO-s.
Në vitin 2023, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, premtoi vendosjen e përhershme të një brigade luftarake në Lituani. Ky është një hap i paprecedentë për ushtrinë gjermane.
Brigada e 45-të e blinduar, me baza në Rudninkai dhe Rukla, pritet të ketë rreth 5 mijë ushtarë dhe 2 mijë automjete ushtarake, përfshirë dhjetëra tanke, kur të jetë plotësisht funksionale deri në fund të vitit 2027.
Aktualisht, rreth 1.800 ushtarë gjermanë ndodhen në Lituani, në kuadër të vendosjes graduale të kësaj force.
Forcimi i pranisë ushtarake gjermane në rajon vjen në një kohë kur NATO po paralajmëron për rritjen e kërcënimeve të mundshme nga Rusia.
Sipas vlerësimeve të disa zyrtarëve të Aleancës, Moska mund të ketë kapacitetin për të ndërmarrë një sulm në shkallë të gjerë ndaj një vendi anëtar të NATO-s deri në vitin 2029.
Nga ana tjetër, Rusia i ka mohuar vazhdimisht akuzat për plane agresive kundër vendeve të Aleancës, duke e akuzuar NATO-n se përshkallëzon tensionet përmes zgjerimit të pranisë së saj ushtarake pranë kufijve rusë.
Ndërkohë, Gjermania po investon qindra miliarda euro në modernizimin e forcave të armatosura, pas dekadash investimesh të kufizuara dhe ndryshimeve të mëdha të sigurisë në Evropë pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.