Raundi i tretë i negociatave mes ekipeve të Eisenkot dhe Netanyahut, kushti i vështirë që mund të bllokojë marrëveshjen
Kaos në trafikun ajror amerikan vetëm pak ditë përpara festës së Falënderimeve. Kompania ajrore Delta Air Lines është përballur të dielën, më 22 nëntor, me një problem të rëndë teknik që ka shkaktuar vonesa në qindra fluturime në të gjithë rrjetin e saj.
Problemi lidhet me sistemin e automatizuar që llogarit peshën dhe balancimin e avionëve përpara nisjes. Për shkak të ndërprerjes, ekipet e kompanisë janë detyruar të kryejnë manualisht procedurat që normalisht realizohen nga sistemi kompjuterik. Situata ka ndikuar veçanërisht në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës, qendra kryesore operacionale e Delta-s.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vendosi fillimisht një ndalim të përkohshëm për fluturimet e Delta-s drejt Atlantës, për të shmangur mbingarkesën e trafikut ajror. Më pas, masa u zëvendësua me një program vonesash në tokë, i cili parashikonte pritje mesatare prej rreth një ore. Kufizimet u hoqën përpara mesditës.
Sipas të dhënave të platformës FlightAware, rreth mesditës së së dielës, mbi 1,100 fluturime të Delta-s rezultonin të vonuara në të gjithë rrjetin e kompanisë, ndërsa qindra të tjera ishin prekur në aeroportin e Atlantës. Në një deklaratë për mediat, kompania konfirmoi problemin teknik dhe tha se po përdorte procedura alternative manuale për të garantuar nisjen e sigurt të avionëve.
“Po punojmë për rikthimin e sistemit të automatizuar”, deklaroi Delta, duke falënderuar pasagjerët për durimin dhe punonjësit për profesionalizmin.
Autoritetet amerikane të aviacionit sqaruan se defekti nuk kishte lidhje me sistemet e kontrollit të trafikut ajror të FAA-së. Megjithatë, incidenti vjen vetëm pak ditë pas një ndërprerjeje të madhe në rrjetin e komunikimit të aviacionit amerikan, e cila shkaktoi ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin për më shumë se katër orë.
Edhe United Airlines u përball javën e kaluar me një problem të ngjashëm teknik, që detyroi kompaninë të vononte nisjen e qindra fluturimeve. Problemi teknik vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm për transportin ajror amerikan.
Sipas parashikimeve të AAA-së, afro 6 milionë persona pritet të udhëtojnë me avion brenda SHBA-së gjatë periudhës së festës së Falënderimeve. Për shumë prej tyre, ndërprerjet e fundit teknologjike mund të sjellin ndryshime të papritura në planet e udhëtimit, pritje të gjata dhe humbje të lidhjeve mes fluturimeve. Ndërkohë, Delta vijon punën për rikthimin e plotë të sistemeve të saj të automatizuara.
Top Channel