Temperaturat e ulëta mund të ndikojnë seriozisht në shëndetin e zemrës dhe mushkërive, duke përkeqësuar sëmundjet kronike dhe duke rritur rrezikun e komplikacioneve, veçanërisht te të moshuarit dhe fëmijët e vegjël. Ekspertët paralajmërojnë se rreziqet nuk shfaqen vetëm gjatë ngricave, por edhe kur temperaturat qëndrojnë disa gradë mbi zero.
Agjencia e Mbretërisë së Bashkuar për Sigurinë Shëndetësore (UKHSA) thekson se ndikimet negative të të ftohtit mund të ndihen që kur temperaturat jashtë zbresin në 4-8 gradë Celsius. Ndërsa brenda banesave, shqetësimi shtohet kur temperatura bie nën 18 gradë.
Grupet më të ekspozuara janë personat mbi 65 vjeç, ata që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, si dhe njerëzit me demencë apo Alzheimer. Rreziku është më i lartë edhe për ata që jetojnë në banesa me izolim të dobët ose pa ngrohje të mjaftueshme.
Sipas UKHSA-së, periudhat e ftohta mund të shoqërohen me rritje të vdekshmërisë. Pas tyre mund të shtohen edhe rastet e infeksioneve të rënda të frymëmarrjes, përfshirë pneumoninë, madje edhe gjatë javëve në vijim.
Për të ulur rrezikun, ekspertët këshillojnë që temperatura në dhomat ku kalohet pjesa më e madhe e ditës të mbahet, nëse është e mundur, të paktën në 18 gradë Celsius. Po ashtu, rekomandohet shmangia e qëndrimit për periudha të gjata ulur dhe kryerja e lëvizjeve të lehta të paktën një herë në orë.
Veshja me disa shtresa të holla rrobash ndihmon në ruajtjen e nxehtësisë së trupit. Këshillohet gjithashtu mbajtja mbyllur e dritareve të dhomës së gjumit gjatë netëve të ftohta dhe kontrolli i rregullt i pajisjeve të ngrohjes.
Një masë tjetër parandaluese është izolimi i dyerve dhe dritareve për të shmangur humbjen e nxehtësisë, pa lënë pas dore ajrosjen e përshtatshme të ambienteve.
Ekspertët sugjerojnë që qytetarët të përgatiten që më herët për ditët me temperatura të ulëta, duke siguruar ushqimet dhe medikamentet e nevojshme. Në këtë mënyrë mund të shmangen daljet e panevojshme gjatë periudhave me mot ekstrem.


