Vetëm pak ditë përpara festës së Falënderimeve, trafiku ajror në Shtetet e Bashkuara është kapluar nga kaosi. Të dielën, më 22 nëntor, linja ajrore Delta Air Lines u përball me një defekt të rëndë teknik, i cili çoi në vonesa të qindra fluturimeve në mbarë rrjetin e saj.
Defekti ka të bëjë me sistemin e automatizuar që përdoret për të llogaritur peshën dhe balancën e avionëve para ngritjes. Për shkak të ndërprerjes, stafi i kompanisë u detyrua të kryente manualisht procedurat që zakonisht i kryen sistemi kompjuterik. Ndikimi më i fortë u vu re në aeroportin ndërkombëtar Hartsfield-Jackson të Atlantës, që është qendra kryesore operacionale e Delta-s.
Të lidhura
None found
Fillimisht, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) vendosi një ndalim të përkohshëm për fluturimet e Delta-s me destinacion Atlantën, për të parandaluar mbingarkesën e trafikut ajror. Më pas, kjo masë u zëvendësua me një program vonesash në tokë, i cili parashikonte pritje mesatare rreth një ore. Të gjitha kufizimet u hoqën para mesditës.
Të dhënat e FlightAware treguan se rreth orës 12:00 të së dielës, mbi 1,100 fluturime të Delta-s ishin vonuar në të gjithë rrjetin e kompanisë, ndërsa qindra të tjera u prekën në aeroportin e Atlantës. Përmes një njoftimi për mediat, Delta konfirmoi defektin teknik dhe njoftoi se po përdorte procedura alternative manuale për të siguruar nisje të sigurta.
Në të njëjtin njoftim, Delta u shpreh: “Po punojmë për rikthimin e sistemit të automatizuar”, teksa falënderoi pasagjerët për durimin dhe stafin për profesionalizmin e treguar.
Autoritetet e aviacionit në SHBA bënë me dije se defekti nuk kishte asnjë lidhje me sistemet e kontrollit të trafikut ajror të administruara nga FAA. Megjithatë, ky incident vjen vetëm pak ditë pas një ndërprerjeje të gjerë në rrjetin e komunikimit të aviacionit amerikan, e cila kishte shkaktuar pezullimin e fluturimeve në të gjithë vendin për më shumë se katër orë.
Javën e kaluar, edhe United Airlines u ndesh me një problem teknik të ngjashëm, i cili e detyroi atë të shtynte nisjen e qindra fluturimeve. Ky defekt i ri vjen në një periudhë delikate për aviacionin amerikan.
Sipas vlerësimeve të AAA-së, gati 6 milionë njerëz pritet të fluturojnë brenda SHBA-së gjatë periudhës së festës së Falënderimeve. Për një pjesë të madhe të tyre, ndërprerjet e fundit teknologjike mund të shkaktojnë ndryshime të papritura në itineraret e udhëtimit, pritje të zgjatura dhe humbje të korrespondencave midis fluturimeve. Në këtë kohë, Delta po vijon punën për rikthimin e plotë të sistemeve të saj të automatizuara.








