Nga Sonila Meço - 20:04, 22/11/2026
Nga shënimi i ditës, fjalia më interesante është ajo ku Elisa Spiropali pohon se për të ekziston vetëm drejtësia.
Dy paragrafë më poshtë, nën teshat e Kleopatrës, na shpjegon se kë do të dënonte e kë do të falte me pushtetin e vet dhe veç paskëndaj do të flinte e qetë si qengj. Brenda të njëjtit status, shekujt shtrydhen në pak rreshta për të garantuar të vetmin përbërës që e sublimon betejën e saj, drejtësinë. Por një herë si parim dhe një herë si vendim i perandoreshës para gjumit.
Nga një politikane që ka mbajtur poste të larta në autokracinë Ramike dhe sot provon rrafshimin e pozitave, nuk presim as të ndërtojë replikën e Murit Kinez e as të mishërojë trashëgimtaren e dinastisë Ptolemaike. Fare pak do të mjaftonte ta lartësonte sërish moralisht e politikisht, të na thotë çfarë ka mbrojtur, çfarë ka kundërshtuar dhe për cilat vendime mban përgjegjësi. Aq më tepër kur akuzon pushtetin ku shërbeu 13 vite, për hajdutëri, manipulim e tirani. Sot, me avantazhin e garantuesit të karrierës së saj, Rama e ka vendosur Spiropalin karshi një kurthi politik.
Kjo është pjesa më interesante e konfliktit.
Nëse Spiropali vijon ta mbrojë Ramën, siç bëri në programin e Grida Dumës, pse “Kleopatra” e pushtetit duhet të jetë ajo dhe jo vetë Rama apo dikush tjetër i preferuar prej tij?
Nëse e mohon atë trashëgimi, si do ta shpjegojë rolin e saj në mbështetjen pa kushte të pushtetit deri ditën kur (ende pa e shpjeguar edhe vetë) u gjend pa pushtet?
Mandej ç’nevojë ka për Hidra, deve, ari, dhi, mushkë, cunam dhe dhjetë milionë zemra, gjithë ky mobilizim madhështor i mitologjisë, zoologjisë dhe meteorologjisë për një fjali, një të vetme, që do të merrte veç shtatë sekonda, por do të shkoqiste mekanizmin: “Ja për çfarë nuk isha dakord me asamblenë!”. Por ato 7 sekonda u harxhuan që Elisa të na tregonte se e ha byrekun me hithra.
Spiropali nuk ka prodhuar ende legjitimitet të pavarur nga Rama. Kur e lexoj sot, me një vetbesim heroik mbathur metaforash, hiperbolash e personifikimesh mendoj se po i qendron fort investimit të saj në parti e politikë. Dhe mirë bën.
Por me atë status të sotëm ka bindur veç veten me mbidozë vetbesimi, kur duhet ende të bindë socialistët se Rama ka gabuar në ndërtimin e sistemit. Dhe këtë ta bëjë pa humbur besimin e një elektorati që për vite e ka njohur si një nga mbrojtëset e servilet më të flakta të tij.
Ku ndodhet sot ky burim legjitimiteti i pavarur nga Rama për Spiropalin?
A ka një grup parlamentar që identifikohet politikisht me të? Një organizim territorial sado të vogël, por të konsoliduar? Një doktrinë që socialistët e njohin si të sajën? Një fitore politike të realizuar nën drejtimin e saj dhe jo nën markën e Ramës? Një qendrim të qartë dhe të plotë kundra asaj që ai sot përfaqëson?
Unë e besoj Elisën kur e lënduar, por edhe krenare thotë se po t’i presësh një kokë, i dalin shtatë të tjera. Se sipas saj të parën ia preu ish zv/kryeministrja Balluku.
Rama ndërkohë po dëshmon se nuk duron dot as kundërshtimin më të vogël brenda partisë, hakmarrjen ndaj Elisës nuk e kurseu gjer në familjarët e saj.
Por kjo nuk e shndërron çdo të përjashtuar në lider të ardhshëm apo të persekutuar politik. Edhe në ia besofshin të gjithë 7 kokat e tjera. Sepse distanca nga Rama nuk matet me sa larg të flak ai, por me sa larg arrin të shkosh vetë. Kjo po që do mundimin e Murit Kinez. Por na the se atë vuxhut e ke Elisë. Do ta dëshmosh përtej statusit?
© SYRI.net