Një sulm i dyshuar me dronë ukrainas ka goditur një anije luftarake ruse në Libi, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe zjarr në bazën detare të Bengazit, në pjesën lindore të vendit.

Dy zyrtarë ushtarakë libianë i thanë agjencisë Reuters se objektiv i sulmit ishte korveta ruse e Marinës, “Merkury”. Sipas tyre, të paktën katër dronë u kapën dhe u shkatërruan nga mbrojtja ajrore, ndërsa dy të tjerë arritën të godasin anijen.


Zyrtarët janë të lidhur me të ashtuquajturën Ushtri Kombëtare Libiane, e cila kontrollon pjesën lindore dhe jugore të Libisë, transmeton Telegrafi.

Libia mbetet e ndarë politikisht që nga viti 2011, kur një kryengritje e mbështetur nga NATO-ja rrëzoi regjimin e Muammar Gaddafit, i cili më vonë u vra. Aktualisht, në Tripoli ndodhet një qeveri e mbështetur nga OKB-ja, ndërsa në lindje vepron një administratë rivale.

Në një deklaratë, qeveria me bazë në lindje të Libisë konfirmoi se sulmi i së dielës shkaktoi një shpërthim dhe zjarr në bazën detare, i cili u shua më vonë.

Anija ruse kishte mbërritur në bazë për furnizim me karburant dhe pajisje të tjera. Autoritetet libiane njoftuan se kanë nisur një hetim të përbashkët me Rusinë për të zbardhur rrethanat e sulmit, burimin e tij dhe palën përgjegjëse.

Ky nuk është rasti i parë kur forcat ukrainase dyshohen për sulme ndaj aseteve ruse në rajon. Në mars, sipas zyrtarëve libianë, forcat ukrainase që vepronin në perëndim të Libisë goditën një cisternë ruse në Detin Mesdhe, në një sulm të dyshuar me dron detar pranë ujërave të Maltës.

Sipas zyrtarëve, forcat ukrainase, shumica e të cilave ishin ekspertë të dronëve, vepronin kryesisht nga një bazë ajrore në qytetin bregdetar të Misratës. Ato përdornin gjithashtu objekte të tjera ushtarake në kryeqytetin Tripoli dhe në qytetin bregdetar Zawiya, raportoi më herët agjencia Associated Press. /Telegrafi/