Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në një takim të organizuar në Manastir, në Maqedoninë e Veriut, ku janë mbledhur të rinj nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Presheva, së bashku me rektorë dhe përfaqësues të institucioneve universitare.
Në qendër të diskutimeve kanë qenë arsimi, ruajtja e identitetit kombëtar dhe forcimi i bashkëpunimit mes të rinjve shqiptarë në rajon.
Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare i kushtoi vëmendje të veçantë gjuhës shqipe, duke e cilësuar atë si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar. Rama kujtoi përpjekjet dhe sakrificat e brezave të mëparshëm për mbrojtjen dhe zhvillimin e saj, duke theksuar se ruajtja e kësaj trashëgimie mbetet përgjegjësi e përbashkët.
Kryeministri e përshkroi gjuhën shqipe si një kopsht të pasur, që kërkon përkujdesje të vazhdueshme për t’u zhvilluar dhe pasuruar më tej.
Në këtë kuadër, ai njoftoi një nismë të qeverisë shqiptare për krijimin e një biblioteke dixhitale, e cila synon të mbledhë dhe të bëjë të aksesueshme pasurinë gjuhësore dhe letrare shqiptare.
Sipas Ramës, zhvillimi teknologjik krijon mundësi të reja për të ruajtur, studiuar dhe promovuar gjuhën shqipe, duke ua afruar atë edhe më shumë brezave të rinj.
“Për gjuhën që na bashkon si lënda bazë e identitetit tonë janë bërë sakrifica të jashtëzakonshme, janë sakrifikuar jetë dhe janë përfshirë një numër i madh njerëzish që për ta gjuha shqipe ka qenë një mision jete”, deklaroi Rama.
Ai theksoi se shqipja duhet trajtuar si një pasuri e çmuar, ndërsa konfirmoi angazhimin e qeverisë për realizimin e projektit të bibliotekës dixhitale.
“Ne duhet të angazhohemi për të bërë një bibliotekë dixhitale, që nga leximi i shqipes deri te leximi i veprave. Një bibliotekë ku të jetë e kyçur pasuria e shqipes. Qeveria e Shqipërisë do ta marrë këtë hap. Teknologjia na jep një ndihmë të madhe”, u shpreh kryeministri.
Rama: Ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin
Në një tjetër moment të fjalës së tij, Rama komentoi edhe reagimet e të rinjve, duke u ndalur te klima e debatit dhe mënyra se si shprehen qëndrimet e ndryshme në shoqëri.
Kreu i qeverisë tha se marrja e duartrokitjeve nga të rinjtë nuk është diçka e zakonshme, pasi, sipas tij, ekzistojnë qëndrime dhe reagime të ndryshme.
“Të marr duartrokitje nga më të rinjtë sot nuk është diçka që ndodh përditë, ju e dini këtë. Se ka të rinj që duartrokasin dhe nga ata që nuk duartrokasin. Të rinj që entuziazmohen dhe të rinj që hidhërohen”, deklaroi ai.
Rama vijoi më tej duke shprehur shqetësimin se, sipas tij, në klimën aktuale disa njerëz druhen të shprehin hapur mendimet apo mbështetjen e tyre për shkak të reagimeve kundërshtuese.
“Sepse jemi në një kohë që ata që duan të duartrokasin tremben nga ata që gjuajnë me gur, ata që duan të flasin tremben nga ata që nuk duan të flasin”, përfundoi kryeministri.
