Festa e ditëlindjes kthehet në tragjedi! 31-vjeçarja shqiptare humb jetën në aksident, plagosen edhe 3 fëmijë

Një ditë festive u kthye në tragjedi në Prata di Pordenone të Italisë, ku një 31-vjeçare me origjinë shqiptare humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor. Tre fëmijë që udhëtonin me të, mes tyre dy fëmijët e saj, mbetën të plagosur.
Aksidenti ndodhi rreth orës 11:00 të mëngjesit, në rrugën Vittorio Emanuele. Sipas policisë, Emanuela Shahini po drejtonte një automjet tip “Ford Fiesta” dhe po udhëtonte drejt Villanovës, ku do të merrte pjesë në një festë ditëlindjeje në oratorium, së bashku me dy fëmijët e saj dhe një mik të tyre.
Teksa po ngjitej në një kthesë, 31-vjeçarja humbi kontrollin e automjetit. Makina doli nga rruga dhe u përplas me një shtyllë betoni në anë të saj.
Përplasja shkaktoi dëme të rënda në pjesën e përparme të automjetit, duke e lënë gruan të bllokuar brenda. Ekipet e shpëtimit arritën ta nxirrnin dhe ta stabilizonin në vendngjarje, përpara se ta transportonin me urgjencë në spitalin e Pordenones. Megjithatë, ajo ndërroi jetë pak më vonë, si pasojë e plagëve të rënda.
Në automjet ndodheshin edhe dy fëmijët e saj, 6 dhe 4 vjeç, si dhe një 10-vjeçar. Të tre mbetën të plagosur dhe u transportuan për ndihmë mjekësore.
Vajza 4-vjeçare u dërgua me helikopter në spitalin e Udines, në gjendje të rëndë, ndërsa dy fëmijët e tjerë u transportuan me ambulancë në spitalin e Pordenones.
/vizionplus.tv



