Një 31-vjeçare shqiptare, Emanuela Shahini, ka humbur jetën në një aksident tragjik rrugor në Prata di Pordenone të Italisë, mesditën e 22 nëntorit.
Automjeti tip “Ford Fiesta”, me të cilin udhëtonte së bashku me dy fëmijët e saj dhe një mik të tyre, ka dalë nga rruga në një kthesë dhe është përplasur me një mur.
Pavarësisht ndërhyrjes së ekipeve mjekësore, 31-vjeçarja nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Tre të miturit, të moshave 6, 4 dhe 10 vjeç, kanë mbetur të plagosur, ndërsa vajza 4-vjeçare është transportuar me helikopter drejt spitalit të Udines në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit, ekipet mjekësore dhe karabinierët, të cilët po hetojnë për të përcaktuar shkaqet e aksidentit fatal. Lajmi për vdekjen e 31-vjeçares ka tronditur komunitetin e Prata di Pordenone.










