Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq këngëtaren Xhensila Myrtezaj, e identifikuar në njoftimin zyrtar me inicialet Xh.K., nën akuzën e fshehjes së të ardhurave, të kryer më shumë se një herë.
Procedimi penal ndaj këngëtares ishte regjistruar në vitin 2024. Sipas Prokurorisë, hetimet kanë evidentuar mospërputhje mes të ardhurave të deklaruara dhe lëvizjeve financiare, përfshirë transaksione për blerje pronash me burime financimi të pajustifikuara, si dhe depozitime e tërheqje të shumave të konsiderueshme në cash, të cilat nuk mbulohen nga deklarimet tatimore.
Gjatë hetimit, Myrtezaj ka paraqitur një deklaratë me shkrim, ku ka pretenduar se paratë e depozituara vinin nga fitimet e koncerteve brenda dhe jashtë vendit. Por, sipas organit të akuzës, dokumentacioni i dorëzuar prej saj justifikon vetëm një pjesë të shumave të konstatuara.
Nga ekspertimi kontabël është përllogaritur një detyrim tatimor i shmangur në vlerën totale prej 6 milionë e 75 mijë e 521 lekësh. Sipas përllogaritjes, shuma e shmangur është 2 milionë e 417 mijë e 311 lekë për vitin 2023 dhe 3 milionë e 658 mijë e 210 lekë për vitin 2024.
Prokuroria e ka cilësuar veprën penale si të përsëritur në dy vite kalendarike të ndryshme, në bazë të nenit 180/1 të Kodit Penal, dhe ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Çështja do të shqyrtohet nga gjykata, ndërsa deri në një vendim të formës së prerë, këngëtarja prezumohet e pafajshme.m.k




