Me rastin e Ditës së Alfabetit, kompania shqiptare BitGenius prezanton inteligjencën artificiale që dëgjon, shkruan dhe flet shqip, e ndërtuar në Tiranë nga inxhinierë shqiptarë.
Më 22 nëntor 1908, në Manastir, 50 delegatë nga 26 qytete, klube dhe shoqata shqiptare vendosën njëzëri që gjuha jonë të shkruhej me një alfabet të vetëm latin me 36 shkronja. Ishte vendimi që e bashkoi shqipen në shkrim dhe me të cilin, katër vjet më vonë, u shkrua dokumenti i Pavarësisë.
Sot, 118 vjet më vonë, shqipja përballet me një sfidë të re: të kuptohet nga makinat. Sistemet e mëdha të inteligjencës artificiale janë ndërtuar kryesisht për anglishten dhe gjuhët e mëdha të botës. Shkronjat që e bëjnë shqipen unike, si Ë, Ç, DH, GJ, SH, XH, e bëjnë atë të vështirë për sistemet e ndërtuara për gjuhë të tjera.
Një AI e ndërtuar për shqipen
BitGenius ka trajnuar modelet e veta të njohjes së të folurit me audio të vërtetë shqip: me theks të ndryshëm, me zhurmë, me shumë folës dhe me orë të tëra regjistrimesh. Në setin e vet të testimit, modeli shqip arrin 95,1% saktësi dhe e kthen zërin në tekst me më pak se një sekondë vonesë.
Teknologjia e kompanisë përdoret tashmë për transkriptimin në kohë reale të seancave në Kuvendin e Shqipërisë, ku fjala e folur e deputetëve kthehet automatikisht në tekst të shkruar.
Përveç transkriptimit, BitGenius zhvillon titra në kohë reale për televizionet, identifikimin e folësve, zëra sintetikë, agjentë zëri që përgjigjen në telefon dhe asistentë inteligjentë mbi legjislacionin dhe arkivat.
“Shqipja të mos mbetet pas”
“Rilindasit na dhanë alfabetin që shqipja të kishte vendin e saj mes gjuhëve të botës. Detyra jonë sot është që ky vend të mos humbasë në botën dixhitale”, deklaroi Vangjush Tasellari, bashkëthemelues i BitGenius. “Çdo shkronjë që u vendos në Manastir duhet ta njohë edhe inteligjenca artificiale. Këtë po ndërtojmë, në Tiranë, për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen.”
Me rastin e Ditës së Alfabetit, BitGenius publikoi në Instagram një video ku 36 shkronjat e alfabetit shfaqen një nga një, dhe më pas AI-ja e kompanisë shkruan live urimin: “Gëzuar Ditën e Alfabetit, çdo shqiptari kudo që ndodhet!”



























