Chivu: Dhuruam dy pikë, golat e pësuar janë të shumtë për një skuadër që ka ambicie

23 Nëntor 2026
7:37
Alfred Lleshi
back button

Cristian Chivu nuk kërkon justifikime pas barazimit 4-4 në Bergamo ndaj Atalantës. “Po fitonim 2-0, 3-1 dhe 4-2. Ky është zhgënjimi, sepse menduam se mund ta menaxhonim disi ndeshjen. Sa herë rritëm intensitetin, arritëm të krijonim epërsi prej dy golash. Në fund dështuam në provën e pjekurisë, për shkak të lehtësisë me të cilën i trajtuam situatat.

Atalanta nuhati mungesën e përqendrimit dhe sipërfaqësinë tonë. I përgëzoj kundërshtarët. Ishim më të shkujdesur se zakonisht dhe në fund e paguam. Janë dy pikë të dhuruara. Duhet të nxjerrim mësime dhe të ruajmë nivelin e lartë të përqendrimit në ndeshjet e ardhshme”.

Trajneri zikaltër theksoi se skuadra duhet të përmirësojë qëndrimin në fushë: “Duhet të punojmë për grintën dhe vendosmërinë në momente të caktuara. Në fund pashë shumë kaos, me të gjithë lojtarët të tërhequr poshtë vijës së topit”.

Për zëvendësimet shtoi: “Në krahë po vuanim shumë dhe lejonim krosime tepër të lehta. Gjithçka lidhet me dëshirën për të fituar duelet”. Në fund, Chivu paralajmëroi: “Golat e pësuar janë të shumtë për një skuadër që ka ambicie. Duhet të japim gjithçka deri në vërshëllimën përfundimtare të arbitrit”.

Ndeshja e Hakan Calhanoglu kundër Atalantës zgjati pak më shumë se gjysmë ore. Mesfushori i Interit pësoi një problem muskulor në përkulësin e kofshës së djathtë, pak përpara golit të dytë të shënuar nga Pio Esposito (2-0). Dëmtimi e detyroi trajnerin Cristian Chivu ta zëvendësonte mesfushorin turk, në vend të të cilit u aktivizua Petar Sucic.

Ndeshje e çmendur në Bergamo, Inter digjet në fund. Atalanta merr një barazim spektakolar (video)

Lajme të tjera

Lajmet e fundit