Pas dyshimeve se një lëndë e paidentifikuar u lëshua në turmë, më shumë se 12 mijë pjesëmarrës janë evakuuar nga arena Co-op Live në Manchester të Anglisë gjatë koncertit të reperit amerikan Don Toliver.
Ngjarja ndodhi të dielën mbrëma, më 22 nëntor, në pjesën e fundit të performancës, duke shkaktuar shqetësim dhe panik te mijëra të pranishëm.
Të lidhura
None found
Sipas policisë së Greater Manchester, alarmi u dha pak pas orës 22:00, pasi disa persona në turmë shfaqën shqetësime shëndetësore që dyshohet se vijnë nga një substancë e panjohur. Fillimisht autoritetet dyshuan se bëhej fjalë për gaz lotsjellës, por lënda ende nuk është identifikuar zyrtarisht.
Shërbimi i Ambulancës në veriperëndim të Anglisë bëri me dije se më shumë se 50 persona u vlerësuan nga ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes. Disa prej tyre kanë raportuar simptoma në sy dhe vështirësi në frymëmarrje.
Një person u transportua në spitalin Manchester Royal Infirmary për trajtim të mëtejshëm, ndërsa si masë parandaluese u krye edhe një proces dekontaminimi. Policia konfirmoi se mbi 12 mijë pjesëmarrës janë evakuar në mënyrë të sigurt nga arena.
“Prioriteti ynë ishte të garantonim sigurinë e çdo personi që ndodhej në koncert”, deklaroi Steph Parker, zyrtare e lartë e policisë së Greater Manchester. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar se çfarë substance është përdorur dhe si është futur ajo në mesin e publikut.
Drejtuesit e arenës Co-op Live kanë konfirmuar se po bashkëpunojnë me policinë për zbardhjen e plotë të incidentit. Lidhur me ngjarjen kanë raportuar edhe mediat ndërkombëtare Reuters, The Guardian, Sky News dhe ITV News.






