Ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Brigitte Macron nën hetim për ngacmime seksuale, akuza të rënda ndaj drejtuesit të muzeut në Francë

23/11/2026 08:17

Pierre-Olivier Costa, ish-shefi i kabinetit dhe një prej bashkëpunëtorëve më të afërt të Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, është në qendër të një skandali në Francë, pasi ndaj tij janë ngritur akuza për ngacmime seksuale dhe morale ndaj punonjësve të institucionit që drejton.

58-vjeçari, i cili për pesë vite ishte një prej njerëzve më të besuar të Brigitte Macron në Pallatin Élysée, drejton që prej vitit 2022 Muzeun e Qytetërimeve Evropiane dhe Mesdhetare (MuCEM), në qytetin e Marsejës.

Një prej akuzave më të rënda vjen nga një punonjës i departamentit të komunikimit të muzeut. Ai pretendon se gjatë një aktiviteti të organizuar më 8 gusht 2025, Costa i kishte bërë vazhdimisht propozime seksuale, duke i kërkuar të kryente akte seksuale. Sipas dëshmisë së punonjësit, kërkesa ishte përsëritur rreth 30 herë gjatë mbrëmjes. Ai ka deklaruar se ish-bashkëpunëtori i Brigitte Macron i ishte afruar fizikisht në mënyrë kërcënuese, duke i shkaktuar ndjesinë e frikësimit.

Costa i ka mohuar kategorikisht akuzat, duke deklaruar se nuk i kujtohet të ketë pasur një bisedë me punonjësin në fjalë atë mbrëmje dhe se nuk ka bërë propozime të tilla ndaj vartësve të tij. Sipas mediave franceze, në mars të vitit 2026, prokuroria e Marsejës nisi një hetim paraprak për dyshimet mbi ngacmimet seksuale dhe morale, pas një ankese të paraqitur nga një punonjës i muzeut.

Paralelisht, Inspektorati i Përgjithshëm i Çështjeve Kulturore zhvilloi një hetim administrativ për mënyrën e drejtimit të institucionit. Në kuadër të tij u morën në pyetje 61 punonjës dhe ish-punonjës.

Raporti evidentoi pretendime për komente seksuale, seksiste dhe poshtëruese ndaj stafit, si dhe dyshime për favorizime në procedurat e prokurimit publik. Edhe një ish-punonjës tjetër ka deklaruar se ishte përballur me propozime seksuale dhe komente të papërshtatshme nga Costa.

Pas këtyre zhvillimeve, Ministria Franceze e Kulturës vendosi pezullimin e tij për katër muaj, duke filluar nga korriku i vitit 2026. Megjithatë, rikthimi i tij në drejtimin e muzeut më 1 nëntor shkaktoi reagime të forta mes punonjësve. Rreth 85 për qind e stafit mori pjesë në grevën e organizuar në shenjë proteste ndaj rikthimit të tij.

Edhe Bashkia e Marsejës njoftoi më 9 nëntor pezullimin e pjesëmarrjes së saj në këshillin administrativ të muzeut, duke shtuar presionin institucional për zgjidhjen e situatës.

Costa kishte qenë një prej njerëzve më të afërt të Brigitte Macron gjatë periudhës 2017-2022, kur drejtonte kabinetin e saj në Pallatin Élysée. Ai merrej me axhendën, organizimin e takimeve dhe koordinimin e aktiviteteve të Zonjës së Parë.

Mediat franceze raportojnë se marrëdhënia e tyre e afërt kishte vazhduar edhe pas largimit të tij nga Parisi, ndërsa Brigitte Macron nuk ka bërë deri më tani ndonjë deklaratë publike lidhur me akuzat ndaj ish-bashkëpunëtorit të saj.

Nga ana e tij, Pierre-Olivier Costa i ka cilësuar akuzat të pabazuara dhe ka kërkuar që çështja të sqarohet përmes drejtësisë. Hetimet për këtë çështje vijojnë, ndërsa pretendimet ndaj tij mbeten për t’u shqyrtuar nga organet kompetente.

Top Channel