Panik në koncertin e reperit amerikan, mbi 12 mijë persona evakuohen pas përhapjes së një substance

Më shumë se 12 mijë persona janë evakuuar nga arena më e madhe e Mbretërisë së Bashkuar, pasi gjatë një koncerti në Manchester dyshohet se është përhapur një substancë e panjohur, e cila shkaktoi probleme shëndetësore te dhjetëra pjesëmarrës.
Policia shpalli gjendje të jashtëzakonshme në arenën “Co-op Live”, pas raportimeve se disa persona që po ndiqnin koncertin e reperit amerikan Don Toliver kishin shfaqur simptoma si kollitje, irritim të syve dhe vështirësi në frymëmarrje.
Fillimisht, policia dyshoi se mund të ishte përdorur gaz lotsjellës, por më vonë e cilësoi materialin e përhapur si një “substancë të panjohur”.
Shërbimi i Ambulancës së Anglisë Veriperëndimore njoftoi se më shumë se 50 persona morën trajtim mjekësor në vendngjarje, kryesisht për probleme me sytë dhe frymëmarrjen, ndërsa një person u dërgua në spital.
Në arenë u angazhua edhe një ekip i specializuar për incidente me materiale të rrezikshme, ndërsa si masë parandaluese filloi procesi i dekontaminimit.
Autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që kanë shfaqur simptoma pas koncertit të kërkojnë ndihmë mjekësore.
Ende nuk dihet se çfarë substance është përhapur dhe nëse incidenti ka qenë i qëllimshëm. /Telegrafi/

































