DW: Varfëria po ua vjedh fëmijërinë mijëra të miturve në Gjermani, mungesa e mundësive dhe pabarazia sociale thellojnë krizën
Një ish-kontraktor i Departamentit amerikan të Mbrojtjes ka bërë pretendime të pazakonta për ekzistencën e jashtëtokësorëve, duke deklaruar se ata jo vetëm që kanë vizituar Tokën, por synojnë të jetojnë këtu dhe të krijojnë një popullatë të re.
Bëhet fjalë për Gary Moshier, i cili më parë ka punuar si projektues armësh për qeverinë amerikane dhe më pas i është përkushtuar kërkimeve mbi UFO-t dhe fenomenet e pazakonta ajrore.
Në një intervistë për Daily Mail, Moshier pretendon se pas 12 vitesh kërkimesh ka arritur në përfundimin se disa prej fenomeneve të raportuara në Tokë mund të lidhen me një prani jashtëtokësore.

Sipas tij, qëllimi kryesor i këtyre qenieve është ripopullimi i planetit Tokë, ndërsa njerëzimi po vëzhgohet për shkak të mënyrës se si po trajton mjedisin dhe burimet natyrore.
“Ne po vizitohemi nga një racë jashtëtokësore, axhenda kryesore e së cilës është ripopullimi i planetit Tokë. Ata po vijnë këtu për të jetuar dhe për të lulëzuar”, ka deklaruar Moshier.
Një prej pretendimeve më të bujshme lidhet me krijimin e një specieje hibride, të përbërë nga karakteristika njerëzore dhe jashtëtokësore. Sipas Moshier, këto qenie thuhet se janë zhvilluar deri në atë pikë sa ngjajnë pothuajse plotësisht me njerëzit, por kanë aftësi neurologjike të ndryshme.
Ai pretendon se krijimi i këtyre hibrideve mund të jetë pjesë e një procesi më të gjerë për vendosjen e një pranie jashtëtokësore në Tokë. Megjithatë, këto deklarata nuk shoqërohen me prova shkencore apo materiale biologjike të verifikueshme.
Moshier pretendon gjithashtu se UFO-t janë shfaqur vazhdimisht pranë instalimeve bërthamore, depove të armëve dhe objekteve ushtarake.
Ai përmend edhe incidentin e nëntorit 2004 në Oqeanin Paqësor, kur pilotët e marinës amerikane raportuan për një objekt fluturues të paidentifikuar, të njohur më vonë si “Tic Tac”.

Sipas tij, këto shfaqje mund të jenë një mënyrë përmes së cilës jashtëtokësorët demonstrojnë epërsinë e tyre teknologjike ndaj njerëzimit.
Një tjetër rast që ai përmend është ai i vitit 1994 në Zimbabve, kur 62 nxënës deklaruan se kishin parë objekte të pazakonta dhe figura humanoide pranë shkollës së tyre.
Pavarësisht pretendimeve të Moshier dhe personave të tjerë që kanë folur për ekzistencën e jashtëtokësorëve, deri më tani nuk ka prova publike shkencore që konfirmojnë vizitat e tyre në Tokë apo ekzistencën e hibrideve njerëzore.
Një raport i Pentagonit, i publikuar në mars të vitit 2024, arriti në përfundimin se hetimet amerikane për UFO-t nuk kishin gjetur prova për teknologji jashtëtokësore apo për rikuperimin e mjeteve fluturuese aliene. Pretendimet e ish-kontraktorit amerikan mbeten, për rrjedhojë, spekulime të pakonfirmuara.
Top Channel