Aktualitet

Tirana zyrtare: Shqipëria nuk është përfshirë në sulmin ndaj anijes luftarake ruse!

Tirana zyrtare hedh poshtë raportimet se sulmi me dron detar ndaj një anijeje luftarake ruse të klasit korvetë ka origjinën nga territori shqiptar.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i cilëson “të pasakta”, raportimet duke theksuar se Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në incident dhe se territori shqiptar nuk është përdorur apo vënë në dispozicion për organizimin ose realizimin e sulmit. Autorëve të këtyre raportimeve, iu bën thirrje të korrigjojnë informacionin.

Reagimi i plotë:

Kemi marrë dijeni për raportimet sipas të cilave sulmi me dron detar ndaj një korvete ruse ka pasur si pikënisje territorin shqiptar.

Raportimet në fjalë janë të pasakta dhe nuk pasqyrojnë të vërtetën.

Shqipëria nuk ka pasur asnjë përfshirje në këtë incident dhe territori i saj nuk është përdorur dhe as nuk është vënë në dispozicion për nisjen apo lehtësimin e një sulmi të tillë.

Ne i hedhim poshtë kategorikisht këto akuza, të cilat janë paraqitur pa asnjë provë të verifikueshme. U bëjmë thirrje personave përgjegjës për përhapjen e tyre që të korrigjojnë informacionin e publikuar dhe të tregojnë saktësi, kujdesin e duhur dhe përgjegjshmëri gjatë raportimit për çështje të një ndjeshmërie të tillë.