Stuhi dhe reshje intensive në Shkodër, dëmtime në banesa e shkolla, probleme në disa akse rrugore

Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar problematika në disa bashki të qarkut Shkodër. Sipas informacionit të Prefekturës, janë raportuar pemë të rrëzuara, dëmtime në banesa dhe shkolla, si dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Bashkinë Shkodër, erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë, për largimin e të cilave kanë ndërhyrë shërbimet bashkiake. Ndërsa në Malësinë e Madhe nuk raportohen problematika të tjera, përveç ndërprerjeve të energjisë elektrike.
3 foto

Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Bashkinë Vau i Dejës, ku reshjet e dendura dhe era kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji.
Dëme në shkollë dhe banesa në Fushë-Arrëz
Problematikat më të shumta janë evidentuar në Bashkinë Fushë-Arrëz. Atje janë dëmtuar çatia e shkollës 9-vjeçare në Iballë dhe disa banesa.
Gjithashtu, prurjet e ujit, gurëve dhe dherave kanë shkaktuar dëmtime në rrugët rurale. Ndërprerje të energjisë elektrike raportohen pothuajse në të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.
3 foto

Edhe aksi Fushë-Arrëz–Bardhet është bllokuar përkohësisht gjatë natës për shkak të rrëzimit të një peme, por është bërë i kalueshëm pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake.
Rënie gurësh në akset drejt Bogës dhe Thethit
Probleme janë raportuar edhe në akset Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth, ku ka pasur rënie gurësh dhe prurje inertesh. Punonjësit po vijojnë pastrimin e rrugëve.
Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm.
Sa i përket situatës hidrike, Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit bën me dije se nivelet e ujit mbeten nën kuotat e rrezikut dhe nuk ka problematika në veprat ujore.
Ndërkohë, ekipet e OSHEE-së vijojnë punën në terren për riparimin e defekteve në rrjetin elektrik.
Prefektura e Shkodrës njofton se po monitoron situatën në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe ndërhyrjen në zonat e prekura.




