
Shtetet e Bashkuara mund të përballen me ndërprerje të tjera të shërbimeve teknologjike, ndërsa kompanitë dhe agjencitë qeveritare po punojnë për zëvendësimin e sistemeve të vjetruara informatike. Paralajmërimin e ka dhënë drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton. Sipas tij, procesi i përditësimit të infrastrukturës mund të shoqërohet me defekte dhe ndërprerje të shërbimeve.
Për këtë temë, FBI ka paralajmëruar më herët se mjetet e reja të inteligjencës artificiale po shndërrojnë hakerimin në sulm “me një klik”. Lajmin e ka raportuar Newsmax Balkans. Ai shkruan se deklaratat vijnë pas një serie defektesh të regjistruara gjatë muajit nëntor në SHBA.
Këto kanë prekur disa sisteme dhe shërbime të rëndësishme, përfshirë trafikun ajror kombëtar, shërbimet e postës elektronike të Microsoft, disa banka të mëdha dhe rrjetin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA). Sipas Clayton, përditësimet janë të nevojshme për të përmirësuar performancën dhe sigurinë kibernetike, në kushtet e zhvillimit të shpejtë teknologjik.
Megjithatë, ai paralajmëroi se gjatë këtij procesi mund të ketë probleme teknike, boshllëqe dhe ndërprerje të përkohshme. Kreu i Inteligjencës Kombëtare theksoi se ndërprerjet e fundit nuk janë rezultat i sulmeve të koordinuara apo veprimeve të sponsorizuara nga shtete të huaja. Ato lidhen me ndërhyrjet teknike dhe përditësimet e sistemeve.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka komentuar raportimet për një sulm të mundshëm kibernetik ndaj Qendrës Kombëtare të Informacionit për Krimet (NCIC). Bëhet fjalë për databazën e FBI-së që përmban të dhëna mbi aktivitetet kriminale dhe përdoret nga agjencitë e zbatimit të ligjit.
Në një intervistë telefonike për Fox News, Trump e cilësoi incidentin si diçka jo të mirë. Ai shtoi se ndërhyrja mund të sjellë edhe zbulimin e informacioneve të panjohura deri më tani. Përmendi në veçanti hetimet për ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Përmendi gjithashtu telefonatën e vitit 2019 me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, që çoi në procesin e parë të shkarkimit të tij nga Kongresi, si dhe pretendimet për manipulime në zgjedhjet e vitit 2020. Nga ana tjetër, Clayton shmangu komentet mbi raportimet për sulme të mundshme kibernetike ndaj FBI-së dhe Departamentit të Bujqësisë. Ai deklaroi se priten rezultatet e hetimeve për të sqaruar rrethanat.
