Rama dhe Kurti dje në Manastir për Ditën e Alfabetit me agjenda të ndara, dy kryeministrat shmangin njëri-tjetrin

23/11/2026 09:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë qenë të dy në Manastir të Maqedonisë së Veriut, më 22 nëntor, me rastin e 118-vjetorit të Kongresit të Manastirit, por nuk kanë zhvilluar asnjë takim mes tyre.

Pavarësisht se ndodheshin në të njëjtin qytet për të shënuar Ditën e Alfabetit, dy kryeministrat ndoqën agjenda të ndara dhe nuk u panë së bashku në aktivitetet e organizuara.

Edi Rama vizitoi Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip, ku mbajti një fjalim për rëndësinë e gjuhës shqipe dhe kontributin e Kongresit të Manastirit në bashkimin kulturor të shqiptarëve. Gjatë kësaj vizite, ai propozoi edhe krijimin e një biblioteke digjitale me libra në gjuhën shqipe, në shërbim të fëmijëve dhe mësuesve shqiptarë kudo në botë.

Gjatë qëndrimit në Manastir, Rama zhvilloi takime me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe me bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, Albin Kurti zhvilloi takim me Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, ku diskutoi për zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, përfaqësimin e shqiptarëve dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Edhe aktivitetet e mbrëmjes i gjetën dy kryeministrat në rrugë të ndryshme. Kurti mori pjesë në manifestimin e organizuar nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve Shqiptare, ku mbajti edhe një fjalim. Ndërkaq, Rama nuk ishte i pranishëm dhe në emër të Shqipërisë foli ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja.

 

Top Channel