
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për rastin e Brajan Grudës, talentit me origjinë shqiptare që ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë në arenën ndërkombëtare.
Kreu i FSHF-së zbuloi gjithashtu se Shqipëria ka bërë përpjekje për ta bindur lojtarin që të vishte fanellën kuqezi, duke qenë se ai ka prejardhje shqiptare nga të dy prindërit, pavarësisht se ka lindur dhe është formuar në Gjermani.
“Kualiteti i Brajan Grudës nuk ka nevojë për koment nga ana ime. Është një futbollist me shumë cilësi, i cili ka spikatur prej kohësh në kombëtaret e moshave të Gjermanisë. Ka luajtur me U19, U21 dhe madje edhe kundër Shqipërisë në një ndeshje miqësore.
Padyshim që, duke qenë shqiptar me prindër shqiptarë, pavarësisht se ka lindur në Gjermani, kemi pasur shumë dëshirë ta kishim në skuadrën tonë. Kemi provuar, por zgjedhja e tij ka qenë Gjermania dhe tashmë ky është një kapitull i mbyllur.
Ai është paraqitur me Gjermaninë dhe nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë suksese në karrierën e tij sportive”, deklaroi Duka.