Ekzekutim në oborrin e shtëpisë, asnjë gjurmë nga autorët e vrasjes së Selami Hasanit, gjenden dy makina të djegura

Selami Hasani u ekzekutua me armë zjarri në oborrin e banesës së tij, në lagjen “1 Maji” në Fier. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 të mëngjesit, ndërsa nga të shtënat mbeti i plagosur edhe vëllai i tij, i cili u transportua në spital për ndihmë mjekësore.
Autorët janë larguar menjëherë pas atentatit dhe deri më tani nuk ka informacion për identifikimin apo kapjen e tyre. Policia është vënë në ndjekje, ndërsa po kryhen kontrolle në disa zona për gjetjen e personave të përfshirë në ngjarje.
Pas atentatit janë gjetur dy makina duke u djegur. Një automjet tip “Volvo” është konstatuar duke u djegur në kthesën e Pojanit, ndërsa një tjetër makinë në flakë pranë Spitalit Turk. Automjetet dyshohet se mund të kenë lidhje me autorët e atentatit, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Policia.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ekzekutimit, identifikimin dhe kapjen e autorëve.




