Aktualitet

U ekzekutua me breshëri plumbash në Fier, kush ishte Sel Çami?

I ekzekutuar sot me armë zjarri në oborrin e banesës, Selami Hasani, i njohur në Fier me nofkën “Sel Çami”, kishte një të kaluar si i përfshirë në ngjarje të rënda kriminale.

Hasani rezultonte i dënuar me 25 vite burg për vrasje dhe plagosje, pas një përplasjeje të përgjakshme të 2002-shit, në qendër të Fierit, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Ngjarja që e bëri të njohur për policinë emrin e tij, daton 25 marsin 2002, pranë zonës së njohur si “Sheshi i Valutës”. Gjatë një shkëmbimi zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj dhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati e Taip Sulaj, ky i fundit kalimtar i rastit.

Sipas dosjes hetimore dhe raportimeve të kohës, krahas Selami Hasanit, u përfshinë Pëllumb Yzeiri e Kujtim Hasanbasha. Përplasja kishte si shkak një hasmëri të vjetër mes familjeve Hasani e Isufaj.

7 vite në kërkim, u arrestua nga RENEA

Pas ngjarjes së rëndë, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për disa vite në arrati. Ai u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, gjatë një operacioni të zhvilluar në Fier, të koduar “Parukieri”. Gjatë arrestimit, policia i gjeti dhe sekuestroi dy pistoleta. Për ngjarjen e vitit 2002, Hasani ishte dënuar me 25 vite burg.

Doli nga burgu pas 11 vitesh

Pavarësisht dënimit me 25 vite heqje lirie, Selami Hasani la qelinë në shtator 2022, pas rreth 11 viteve burg. Në atentatin ku sot humbi jetën, mbeti i plagosur edhe vëllai i tij, i cili u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.