Komisariati nr. 4 në Tiranë ka bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes së shpërthimit me tritol në një banesë në rrugën “Sadik Petrela”. Hetuesit kanë arritur të identifikojnë lëvizjet e automjetit të përdorur nga autori i dyshuar, duke analizuar pamjet e kamerave të sigurisë.
Sipas burimeve, Albert Zevelizhdaj, i shpallur në kërkim, dyshohet se ka marrë me qira për tre ditë një automjet në emër të fqinjës së tij në Elbasan. Me këtë makinë, ai ka udhëtuar drejt Tiranës së bashku me fqinjën dhe dy persona të tjerë, të cilët i linte në zonën e ish-Bllokut.
Në ditën e tretë të qëndrimit në kryeqytet, pasi ka lënë tre personat në zonën e ish-Bllokut, Zevelizhdaj është drejtuar për në rrugën “Sadik Petrela”, ku dyshohet se ka vendosur lëndën plasëse në derën e banesës.
Hetimet paraprake ngrenë dyshime se 60-vjeçari mund të jetë paguar nga persona të tjerë për të kryer këtë veprim. Një prej elementeve që po shqyrtohet nga hetuesit është fakti se pronarja e banesës dhe fëmijët e saj nuk e kanë njohur më parë të dyshuarin.
Burime bëjnë me dije se, pas vendosjes së tritolit, ai ka ndjekur rrugica të ndryshme për të shmangur identifikimin dhe dyshohet se ka ndërruar edhe veshjet, me qëllim humbjen e gjurmëve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë











Komente
Komento